Policia e Kosovës ka iniciuar kallëzim penal ndaj një 48-vjeçari, pasi i njëjti kishte raportuar rrejshëm se ishte grabitur nga persona të panjohur në fshatin Gjyrkovc të Shtimes.
Sipas Policisë, i dyshuari A.G., mëngjesin e sotëm kishte raportuar në stacionin policor se persona të panjohur e kishin sulmuar dhe me dhunë i kishin grabitur para në vlerë prej 3.500 euro dhe kishin ikur me një automjet në drejtim të panjohur.
Pas dyshimit të PK-së për lajmërim të rrejshëm të rastit, i dyshuari është liruar për procedurë të mëtejme dhe ndaj tij është iniciuar kallëzim penal.
“Policët e rendit të stacionit në Shtime e më pas hetuesit rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe nën dyshimin se mund të ketë lajmërim apo kallëzim të rrejshëm të rastit i kanë nisur hetimet. Fillimisht ankuesi është testuar me alkool test, i cili ka rezultuar me 1.42 promila. Pas intervistimit nga hetuesit policor, në prani edhe të avokatit mbrojtës , rreth orës 15:00 , ai në tërësi e ka pranuar veprën se ka deklaruar rrejshëm, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit i njëjti lirohet për procedurë të mëtejme hetimore dhe ndaj tij është iniciuar kallëzim penal, nën dyshimin se ka kryer vepër penale ‘Lajmërimi, apo kallëzimi i rremë’”, bëhet e ditur në njotim. /Teve1.info/