Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në partneritet me BE-në në Kosovë, dhe qeveritë e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, ndanë sot Grantet e Performancës Komunale në vlerë prej 7.85 milionë euro për gjashtë komunat me performancën më të mirë në Kosovë.
Grantet iu dhanë Drenasit, Lipjanit, Obiliqit, Vitisë, Gjakovës dhe Klinës, për performancën e tyre të mirë gjatë vitit 2021 në fushat e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal dhe ofrimit të shërbimeve publike, ndër të tjera, raporton teve1.info.
Nga shuma totale për grantet, MAPL ka siguruar 3.5 milionë euro, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë kontribuar me 4.35 milionë euro të tjera.
Sipas komunikatës, si komunat më të dalluara nga komunat me performancën më të mirë, sipas grupit të treguesve të përcaktuar qartë, Drenasi- vendi i parë, Lipjani – vendi i dytë dhe Obiliqi – vendi i tretë, morën shuma më të larta për t’i stimuluar që ta përmirësojnë më tej transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e tyre, dhe të ofrojnë shërbime cilësore që përputhen me nevojat e qytetarëve të tyre.
Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka theksuar disa nga hapat e ndërmarrë nga MAPL-ja në mënyrë që konkurrenca ndërmjet komunave të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë.
Krahas kësaj, ai theksoi se MAPL-ja “do të jetë gjithmonë në krah të komunave, duke ofruar mbështetjen e saj të parezervë për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës përmes këtij granti, i cili këtë vit mbështet 6 komuna me rreth 8 milionë euro”.
Shefi i Bashkëpunimit në kuadër të Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen, shprehu përkushtimin e BE-së për të mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt prosperitetit dhe integrimit evropian.
Ambasadori zviceran në Kosovë, Thomas Kolly, në fjalimin e tij tha: “Zvicra ka qenë e përfshirë në Grantin e Performancës Komunale që nga fillimi. Sot GPK-ja është zhvilluar më tej dhe financimi i saj është rritur ndjeshëm me bashkëfinancimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe katër donatorëve ndërkombëtarë. Kjo konfirmon vlerësimin tonë të përbashkët për GPK-në dhe përkushtimin tonë për mbështetjen e zhvillimit të komunave të Kosovës dhe qeverisjes lokale në përgjithësi”.
Ai përgëzoi komunat të cilat janë kualifikuar për grant, duke vlerësuar përpjekjet kolektive të zyrtarëve komunalë, kryetarëve të komunave, drejtorëve dhe anëtarëve të kuvendeve komunale dhe përkushtimin e tyre për përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre. Ai shpreson se të gjitha komunat e Kosovës do të vazhdojnë të përmirësojnë performancën e tyre dhe të përmbushin kriteret e përcaktuara për marrjen e Grantit të Performancës Komunale.
Ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, theksoi aspektin pjesëmarrës të qeverisjes së mirë.
Në fund, ambasadori norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grondahl, përgëzoi komunat dhe institucionet partnere të Kosovës për punën e tyre drejt përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarëve të tyre përmes projektit DEMOS.
Që nga lansimi i tij në vitin 2017, programi i Granteve të Performancës Komunale ka ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve komunale dhe qeverisjes për më shumë se 700,000 qytetarë në 28 komuna në mbarë Kosovën.
Përmes grantit, komunat kanë qenë në gjendje të investojnë në infrastrukturë dhe shërbime thelbësore, duke përfshirë rrugët, shkollat, qendrat e kujdesit shëndetësor dhe sistemet e menaxhimit të mbeturinave, duke rezultuar në përmirësime të dukshme në cilësinë e jetës së qytetarëve./teve1.info/