Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka takuar sot presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Mynih të Gjermanisë, në margjinat e Konferencës së Sigurisë.
Në një njoftim të tij, Blinken ka bërë të ditur se me Vuçiqin ka diskutuar mbi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.
“Kisha një takim produktiv me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot në Konferencën e Sigurisë. Diskutuam për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovës dhe i përcjella mirënjohjen tim për mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”, ka shkruar Blinken.
Drejt Mynihut është nisur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai pritet të zhvillojë takime me zyrtarë amerikanë, gjermanë e francezë, për ta diskutuar propozimin franko-gjerman, në funksion të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.









