Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa njohje të ndërsjellë, raporton teve1.info
Kurti këto komente i bëri kur u pyet nga gazetarët nëse njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është paraparë në asnjë nga propozimet e publikuara deri më tash për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të dy vendeve.
“Procesi i bisedimeve nuk ka filluar ende, duhet të ketë takim të nivelit të lartë që ftohet nga përfaqësuesi i lartë i Borrell dhe nga bisedimet shohim e çka e kur. Por normalizim të plotë të marrëdhënieve pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë. Aleatët ndërkombëtar të Kosovës në çdo takim e pranojnë se normalizimi dhe njohja nuk mund të qahen e të ndahen nga njëra-tjetra”, tha ndër të tjera Kurti.
“Andaj nuk mund ta nxjerrim as qerren para kalit e as propozimin franko-gjerman në tryezë ku dikush përzgjedh gjellën më të shijshme për ta”, shtoi Kurti.
Kryeministri Albin Kurti u pyet edhe për vërejtjet e supozuara në gjashtë kushtet e propozuara të BE-së për këtë marrëveshje, për çka tha se nuk është në dijeni për nj gj të tillë.
“Unë nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë, mbase duhet ta takoj zëvendësin tim e ta shoh se çfarë komunikimi ka pas me vendet e BE-së por ato 6 kushte, 6 parime janë të tilla që mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të mos jetë monoetnik, të kemi reciprocitet të pakicave kombëtare pasi që derisa në Kosovë janë rreth 4 për qind pakica, në Serbi nuk mund ta ketë më shumë se 80 për qind serb. Mandej strukturat ilegale duhet të shuhen e çarmatosen në veri por nuk duhet harruar që është e domosdoshme që presidenti i Serbisë t’i tërheqë ato 5 letra që ia ka dërguar vendeve anëtare të BE-së duke e shkelur edhe marrëveshjen më të dashur të tij të 19 prillit 2013”, tha Kurti.
Kurti tha se me urdhër të Vuçiqit në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar e kanë lënë punën katër kryetarët e komunave veriore në Kosovë dhe qindra policë e zyrtarë serb atje.
“Ndërkohë që në fillim të dhjetorit ka pas urdhër për ç’integrim, pasi ka pas urdhër për braktisje të institucioneve. Me urdhër Beogradi e ka shkelur marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe në vend të integrimit ka dhënë urdhër për ç’integrim. Prandaj Republika e Kosovës u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe unë jam kryeministër edhe i serbëve në Kosovë dhe këtë duhet ta pranoj Beogradi”, tha Kurti.
Kurti përsëriti për propozimin evropian se është bazë e mirë për të vazhduar diskutimet, derisa nuk pranoi të flas më shumë për këtë plan.