Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hisen Berisha, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi ka shkaktuar zhgënjim te bashkëluftëtarët, familjarët e të dënuarve dhe qytetarët që, sipas tij, e vlerësojnë luftën e UÇK-së.
Berisha, në një deklarim në emisionin “Info Nata” të Tëvë1, tha se zhgënjimi lidhet me pritjet që drejtësia do ta trajtonte luftën e UÇK-së duke marrë parasysh motivet dhe rrethanat në të cilat ajo është zhvilluar.
“Padyshim se të gjithë bashkëluftëtarët e tyre dhe ata që ishin pjesë e UÇK-së, familjarët e tyre e të gjithë qytetarët që kanë dinjitet dhe që e duan Kosovën dhe e vlerësojnë lirinë, sot nuk janë ndier mirë dhe janë ndier të zhgënjyer”, tha Berisha.
Sipas tij, ky zhgënjim është i lidhur me besimin që, siç u shpreh ai, pjesëtarët e UÇK-së e kishin kur iu bashkuan luftës.
“Ky zhgënjim ka ardhur për shkak se ne kemi besuar në kauzën dhe idealin tonë kur jemi futur në luftë dhe e kemi krijuar UÇK-në”, deklaroi ai.
Berisha tha se, pavarësisht aktgjykimit, ai vazhdon ta konsiderojë luftën e UÇK-së si të drejtë dhe çlirimtare. Ai shtoi se kishte besuar se edhe procesi gjyqësor do të mbështetej në ligje, institucione dhe në, siç tha, detyrimet e marra ndaj aleatëve.
“Ashtu siç kemi mbetur besnikë ndaj këtij ideali se lufta jonë ka qenë e drejtë dhe çlirimtare, ashtu kemi besuar se edhe drejtësia do të mbështetet në ligje, institucione dhe në detyrime që kemi marrë përballë aleatëve”, tha Berisha.
Ai iu referua edhe mbështetjes që NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999, duke thënë se kishte pritur që edhe drejtësia të merrte parasysh motivin që, sipas tij, i kishte shtyrë njerëzit të merrnin pjesë në luftë.
“Prandaj zhgënjimi ka qenë i thellë sepse atje janë gjykuar liderët tanë dhe të etiketuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, u shpreh ai.
Në pjesën tjetër të deklarimit, Berisha e kritikoi ashpër procesin dhe mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar UÇK-ja në kuadër të këtij procesi gjyqësor.
Ai pretendoi se me aktgjykimin është përmbushur ajo që, sipas tij, kanë kërkuar struktura që nuk e kanë dashur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Këto deklarime janë qëndrime të Berishës dhe nuk përbëjnë konstatime të Gjykatës Speciale.
“Sot ndodhi ajo që u angazhuan ata që nuk e kanë dashur asnjëherë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, tha Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, njerëzit që nuk e duan UÇK-në e kanë pasur si mision luftimin e saj dhe të pavarësisë së Kosovës.
Berisha pretendoi gjithashtu se në proces janë përfshirë struktura të ndryshme që, sipas tij, kanë punuar në ngritjen e rastit gjyqësor. Ai e cilësoi këtë proces si një “njollë të zezë në drejtësinë ndërkombëtare”.
Ndryshe, mbi 41 muaj pas nisjes së procesit gjyqësor, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, më 16 shtator i shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Pas dëshmimit të 273 dëshmitarëve, dhe vlerësimit të gati 5.500 provave materiale, ata u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.
Në anën tjetër, të katërt u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.
Të pafajshëm u shpallën edhe për një numër incidentesh specifike që ishin listuar në aktakuzë, brenda akuzave për krime lufte./teve1.info./







