Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka treguar se si ka ardhur historia e Asociacionit si dhe deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
“Historia e Asociacionit është e njohur për ata që kanë përcjellur proceset e shtetndërtimit, ka ardhur si rezultat i Planit të Ahtisaarit, i cili ka bërë kompromise të rënda për pavarësinë. Ato kompromise nuk janë bërë me vullnetin e popullit të Kosovës, a po me vullnetin e liderëve që e kanë bërë, por janë bërë si pasojë e raportit të forcave kur u shpall Pavarësia e Kosovës. Mos të harrojmë ne e kemi bërë shpalljen e Pavarësisë në mënyrë të koordinuar. Ne nuk e kemi fituar me luftë pavarësinë, siç e ka bërë Kroacia, e cila pas fitores ushtarake ndaj Serbisë ka bërë një kushtetutë sipas vullnetit të popullit pa kompromise”, ka potencuar ai.
Bajrami tha se Bashkësia Ndërkombëtare ka investuar në çlirimin e Kosovës bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pastaj në rindërtimin e Kosovës dhe sponsporizimin në Pavarësinë e Kosovës.
“Duke qenë që ne kemi pas një prezencë të fuqishme në shtetndërtim, atëherë Bashkësia Ndërkombëtare ka vendosur edhe kushte se si duhet të dizajnohet shteti i Kosovës dhe përmes Planit të Ahtisaarit është arritur ajo marrëveshja e shteteve kryesore të BE-së të njihet Kosova me kushtet që të respektohen në plotni anekset e Planit të Ahtisaarit”, ka shtuar Bajrami në emisionin “Respublika” në Tëvë 1.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese ka treguar se historia e Asociacionit fillon nga ngjarjet e marsit të vitit 2004, ku ka pasur dhunë ndaj disa objekteve fetare dhe sipas Bajramit prej atëherë ka lindur ideja e decentralizimit dhe pastaj është diskutuar kjo ide, brenda Pakos së Ahtisaarit është paraparë që do të formohet edhe një Asociacion.
“Mbi bazën e këtij plani është zbatu dhe është pjesë e deklaratës të pavarësisë nuk është në pyetje vetëm votimi i marrëveshjes në vitin 2015, por edhe deklarata e pavarësisë i ka pikat që Kosova do të zbatoj të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe të gjitha anekset e Planit të Ahtisaarit, është pjesë e Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve kryesore të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sipas tij ky është një obligim ndërkombëtar sepse më 2015 dhe 2013 e njëjta marrëveshje është shndërruar në një ligj të brendshëm.
Bajrami është shprehur se ajo çka po thotë sot Escobar, është detyrë shtetërore – ajo nuk është detyrim individual i një kryeministri a po një presidenti, apo një kryetari të Kuvendit, ajo është një detyrë shtetërore dhe sipas tij nuk është e vështirë.
“Fatmirësisht kjo detyrë nuk është e vështirë është e lehtë sepse kemi pasë interferime të Gjykatës Kushtetuese, e cila në një mënyrë e ka lehtësua shumë këtë proces, sepse ka ndërtuar fizionominë dhe strukturën e këtij Asociacioni, duke thënë se Asociacioni duhet në plotni të jetë në pajtim me frymën e Kushtetutës dhe duke shpallur jo kushtetuese më shumë se 23 pika të marrëveshjes dhe statutit dhe duke rrëzuar Qeverinë e Kosovës, Parlamentin e Kosovës- që duhet ta përmbushin detyrimin ndërkombëtar, ta themelojnë Asociacionin, por vetëm në pajtim me legjislacionin”, është shprehur Bajrami.
Ai thotë se nuk duhet pasur frikë kur juridikisht është e pasur situata.
“Nuk duhet pasur frikë se do të na imponohet edhe nga faktori ndërkombëtarë një Asociacion i tipit të Republikës Serbe, apo një autonomie, sepse askush nuk po e thotë atë”, ka shtuar ai.