Pas mbledhjes së Kryesisë, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, në një deklarim për media, tha se besojnë që kryeministri Albin Kurti, do reflektojë sa i përket kësaj kërkese, raporton teve1.info/.
“Sa i përket rendit të ditës për këto dy seanca që do të mbahen në ditën e mërkurë, e që do jenë vazhdime në ditën e enjte. Ajo qe vlen të theksohet është se do të kemi një pikë të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila do ta trajtojë gjendjen mjaft të rëndë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, një mori skandalesh që kanë ndodhur brenda dy viteve, dënimin për mos deklarimin e pasurisë të ministres në fjalë që e drejton këtë dikaster, Rozeta Hajdari dhe pikërisht ne e kemi propozuar një rezolutë e cila kërkon shkarkimin e ministres nga kjo pozitë. Prandaj, besojmë që kryeministri Kurti dhe mazhoranca do të reflektojë karshi kësaj kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike”, deklaroi ai tutje.
Prandaj sipas Tahirit, vazhdimi i ministres Hajdari në një nga dikasteret më të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do i shkaktojë dëm shumë të madh vendit.
Njëherit, Tahiri njoftoi se gjatë seancës në ditën e enjte, pjesë e shqyrtimit do jenë edhe të gjeturat e Komisionit Hetimor sa i përket keq menaxhimit të krizës energjetike, derisa shtoi se në kuadër të kësaj, PDK do e bëjë një kallëzim penal për disa drejtues të institucioneve.
“Ndërsa sa i përket seancës së ditës së enjte, do të jetë shqyrtimi i raportit të Komisionit Hetimor për angazhimin 6 mujor për keq menaxhimin e krizës energjetike, nga dhjetori i vitit 2021 dhe katër muajt në vijim, pra deri në muajin maj. Po ashtu në kuadër të këtij raporti ka shumë të gjetura. Sa i përket këtyre të gjeturave, ne si grup parlamentar jemi duke u përgatitur që të bëjmë një kallëzim penal, për disa drejtues të institucioneve në kuadër të sistemit tonë energjetik për shkeljet që kanë ndodhur gjatë asaj periudhe”, u shpreh tutje Tahiri.
Ndërkaq, sa i përket ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, Tahiri vlerësoi se fati i Qeverisë Kurti është i lidhur ngusht me fatin e Berishaj.
“Në kuadër të kësaj, është intervistuar Martinaj, ku tashmë ka dalë që ka gënjyer nën betim për disa çështje që është pyetur. Pra, për mos deklarimin e të hyrave milionëshe në Republikën e Kosovës për tre vitet e fundit. Siç duket, fati i Qeverisë Kurti është i lidhur ngushtë me fatin e Martin Berishaj. Do të thotë, nëse shkon Berishaj, mund të ecë edhe kjo Qeveri”, potencoi Tahiri më tej.
Prandaj, Tahiri theksoi se PDK do të angazhohet në vazhdimësi që Berishaj të shkarkohet dhe të vihet para drejtësisë./teve1.info/.







