Duke raportuar në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporës, kryediplomatja Donika Gërvalla paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të marrin vendim për formimin e një grupi që merret me anën teknike, politike dhe diplomatike për anëtarësim në NATO.
Ndërkohë, ajo tha se Kosova është e gatshme për pranimin e 5 mijë refugjatëve ukrainas.
“Në të gjitha format e mundshme diplomatike e kemi bërë të qartë se Kosova është e interesuar që Kosova të jetë sa më afër NATO-s dhe mundësisht të jetë anëtare me të drejta të plota të NATO-s. Ne e dina se ka disa shkallë të ndryshme që çojnë në anëtarësim të plotë të NATO-s, pra ato shkallë të ndryshme janë të përcaktuara në kohëra të tjera, pasi me datë 24 shkurt kemi hyrë në një epokë të re ne si Evropë. Prandaj, unë nuk mund të premtoj se një gjë e tillë mund të ndodh, por unë mund të premtoj se do të punojmë fortë që të kapërcehen disa faza, të cilat kanë qenë të vetëkuptueshme deri më 24 shkurt dhe Kosovës t’i ofrohet mundësia për të qenë sa më afër NATO-s edhe nëse nuk i ofrohet mundësia për të qenë anëtare me të drejta të plota, minimumi që duhet të ndodhte me Kosovën është që së bashku me Suedinë, Finlandën, Austrinë dhe disa shtete të tjera që nuk janë anëtare të NATO-s të ndodhemi në tavolinën e dytë rreth NATO-s, por të jemi pjesë e tavolinës kur NATO bisedon për të ardhmen e Evropës dhe NATO-s. Kemi kërkuar nga Qeveria që të krijohet grupi që merret me anën teknike, politike dhe diplomatike të anëtarësimit tonë në mekanizma të ndryshëm të NATO-s. Gjatë kësaj jave me siguri do të keni informacione se cilët hapa mendojmë t’i marrim. Ka zhvillime që na bëjnë optimistë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aty askush nuk mund të parashohë të ardhmen. Ne mund të parashohim vetëm pjesën tonë, çfarë po bëjmë ne që një gjë e tillë të jetë e mundur. Edhe aty jemi takuar disa institucione së bashku dhe kemi diskutuar cilat janë hapat. Ditën e enjte e presim për një vizitë nëse nuk ndodh diçka speciale, ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë”, tha ajo.
Ministrja, deputetëve iu bëri të ditur vendimet që i kanë marrë për t’u rreshtuar krah aleatëve ndërkombëtarë për të dënuar agresionin rus në Ukrainë.
Ajo tha se i kanë parashtruar kërkesë edhe KFOR-it që të mbyllë hapësirën ajrore të Kosovës për Rusinë./teve1.info/