Tash e tre ditë Komuna e Fushë Kosovës po përballet me mungesën e ujit, meqë reshjet e dendura të shiut dhe vërshimet, ndikuan që uji të ketë turbullira dhe kështu të ndalet edhe furnizimi.
Ilaz Miftaraj, banor në këtë komunë numëron ditët që kanë mbetur pa ujë dhe tregon se si u gjind gjatë kësaj kohe.
“E diel, e hënë, e martë dhe sot nuk ka ujë, duke ble veç me shishe”, tha ai.
Per të njëjtin problem u shprehën dhe banorë tjerë.
“Vallahi përditë që tre ditë po kemi probleme me ujë, as qetash nuk kena hiq”, tha Ramë Rama, banor i Fushë-Kosovës.
“Shumë vshtirë e ka bë sigurisht shiu, çka të bësh pa ujë, nuk e di a do stabilizohet a jo e di që nuk është fajtor njeriu”, tha qytetari Bajram Islami.
Ndërkohë një tjetër banor, tha se nuk pati furnizim me ujë as gjatë orarit të paralajmëruar nga KRU Prishtina.
“Në atë orar nuk ka qenë i saktë por në 24 orë ka ardhë ndoshta 1-2 orë. Ka problem ndërprerja, uji nuk është kualitativ, probleme të vazhdueshme shpresojmë tash masi të rregullohet koha rregullohet edhe cështja e ujit”, tha qytetari Avdi Zeqiraj.
Problem të ngajshëm kishte dhe në një pjesë të Obiliqit.
Bajrush Krasniqi, banor në këtë komunë thotë se gjatë së mëkurës patën ujë, por që nuk mund të përdorej për pije.
“Edhe e lehtë pa ujë nuk është, se po duhet uji, te na është ardhë krejt kapak, veq me pi nuk po e pimë për pijë nuk është” tha ai.
Derisa me një problem të tillë nuk u ballafaqua një qytetar tjetër.
“Jo nuk kemi pas probleme sepse këtu ka pas ujë”, tha Selman Rama, banor në Komunën e Obiliqit.
Reduktime të ujit kishte edhe në komunën e Drenasit dhe në disa lagje të Prishtinës.
Kronika e gazetares Lendrina Kodrolli.