Partitë opozitare, ndërkohë, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje.
Por, me gjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për ta shtyrë vendimin për targat për dhjetë muaj, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e tij në faza më 1 nëntor.
SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 nëntori.
Kjo, pasi vendimi për targat ka tensionuar situatën në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.
Analistët politikë thonë se Qeveria e Kosovës duhet t’i trajtojë Shtetet e Bashkuara si partnere strategjike dhe t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.
Donika Emini, drejtore ekzekutive në platformën CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo vendim i Kosovës do të ishte mirë të merrej në mënyrë të koordinuar jo vetëm me SHBA-në, por edhe me BE-në.
“Do të duhej të diskutohej se çka ka SHBA-ja në plan të bëjë gjatë periudhës 10-mujore. Nëse [kjo periudhë] është për ta përgatitur terrenin dhe Kosovën për marrëveshje finale [me Serbinë], atëherë do të ishte mirë që Kosova ta diskutonte në mënyrë strategjike atë plan”, thotë Emini.
Afati prej dhjetë muajsh, shton Emini, ka mundur të hapte një derë për Kosovën që t’i zgjidhte përfundimisht problemet me Serbinë.
Dy vendet, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.
Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e dy palëve mbeten larg.
Emini thotë se tensionet që ka krijuar çështja e targave, e kanë sjellë Kosovën në periudhën e paradialogut me Serbinë.
“Po duket që kryeministri Kurti, i cili nuk i ka negociuar deri tash marrëveshjet me Serbinë dhe ka qenë i pakënaqur me ato marrëveshje, sikur po e kthen në pikën zero [dialogun], për ta filluar dhe për ta udhëhequr vetë, siç dëshiron vetë”, thotë Emini.
Sipas saj, nuk zhbëhet një proces, i cili është zhvilluar mbi dhjetë vjet.
Ajo thotë se marrëveshjet e arritura me Serbinë gjatë viteve, duhet të zbatohen, pasi Kosova është zotuar për zbatimin e tyre.
Sipas Eminit, Kosova nuk mund të kthehet në pikën zero, sepse, siç thotë, “nuk dihet se si do të jetë elita politike në SHBA pas dy vjetësh” dhe “nuk dihet se si do të jetë BE-ja pas luftës në Ukrainë”.
“Humbja e këtij momentumi është e dëmshme për Kosovën dhe nuk po duket që ka ndonjë plan B, përveç bllokadës. Kjo i kushton shumë më shumë Kosovës sesa Serbisë”, konsideron Emini.
Situata e tensionuar në veri nuk zgjidhet pa marrëveshje
Drejtori i organizatës joqeveritare, Çohu, Arton Demhasaj, thotë se situata e krijuar pas fillimit të zbatimit të planit për targa dhe largimit të serbëve nga institucionet, do të pamundësojë funksionimin normal në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas tij, as zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri – të cilat u caktuan për datën 18 dhjetor, pas dorëheqjes së kryetarëve të deritashëm serbë – nuk do të mund të realizohen pa u arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Duke parë situatën momentale, mendoj se Qeveria duhet të reflektojë dhe t’i marrë parasysh kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, sidomos të Uashingtonit, dhe ta shtyjë zbatimin e vendimit për targa për aq kohë sa është kërkuar nga SHBA-ja”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.
Shtyrja e zbatimit të vendimit për targa, thotë ai, është mundësi për të arritur marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe, njëkohësisht, të mos ketë tensione më të mëdha në veri./REL