“Në gëzohemi që puna jonë në Kosovë ka një bazë kontraktuale dhe mund të fillojë. Ne kemi 900 njoftime të paverifikuara për vendndodhje varresh që do t’i shqyrtojmë në muajt e vitet e ardhshme”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Popullore për Kujdesin e Varrezave të Luftës, Dirk Backen.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Gjermania mund të “kujdeset me shpenzimet e veta për varret e luftës dhe varrezat e ushtarëve që gjenden në Kosovë”, po ashtu të zhvarrosë e transportojë kufomat e ushtarëve gjermanë.
Mirëpo, aty ku nuk është e mundur të bëhet zhvarrosja, mund të vendosin një pllakë përkujtimore.
Shoqata gjermane për Kujdesin ndaj Varrezave të Luftës do të trajnojë për këtë personel që do të angazhohet në rajonet malore të Kosovës dhe rreth Prishtinës, shkruan agjencia e lajmeve afp për Gjermaninë.
Ndërsa, shumica e varreve të ushtarëve gjermanë në Kosovë nuk kanë mbishkrime dhe nuk janë mirëmbajtur. Disa prej tyre janë zbuluar nga fermerët gjatë punimeve në tokat e tyre apo ndërtimeve.







