Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pyetur nëse do t’i kërkojë votat e deputetëve të Aleancës për zgjedhjen e presidentit, pas vendimit të gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të votuar kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për këtë post.
Pas takimit me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Kurti ka thënë se fillimisht duhet të ketë takim dhe dialog ndërmjet subjekteve politike.
Ai ka deklaruar se nuk e sheh të arsyeshme që Aleanca të vendosë kushte për bashkëpunim, ndërsa në të njëjtën kohë refuzon takimin.
“Së pari, unë besoj që duhet të takohemi. Nuk ka kurrfarë kuptimi që të vësh kushte e të refuzosh takim. Ne sapo kemi dalë nga zgjedhjet dhe secili kemi dalë me zotimet tona dhe ne duhet t’u përmbahemi atyre”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, pas zgjedhjeve secili subjekt politik duhet të veprojë në përputhje me programin dhe mbështetjen që ka marrë nga qytetarët.
“Unë nuk mund të pres që një parti tjetër politike të m’i përmbushë mua premtimet. Unë kërkoj votën tek qytetarët për programin elektoral që përfaqësoj dhe, karshi mbështetjes që marr, sillem dhe veproj”, është shprehur ai.
Kurti e ka cilësuar si “absurde” situatën në të cilën një subjekt politik, sipas tij, pas zgjedhjeve tenton t’ia imponojë një subjekti tjetër elementet e programit të vet si kushte për bashkëpunim, ndërkohë që refuzon të takohet.
Ai ka thënë se, pas situatës së krijuar, nevojitet rikthimi te bisedimet me drejtuesit e LDK-së dhe kryesinë e LVV-së, në mënyrë që të përcaktohet se çfarë mandati do të ketë për negociatat e mëtejshme.
“Unë kisha mandat nga ata për marrëveshje dhe tash, kur e kemi parë që nuk është e realizueshme me votat në Kuvend, siç e kemi pandehur, duhet të rikthehemi që, karshi LDK-së, të shohim se çfarë mandati mund të kem”, ka përfunduar Kurti./teve1.info/







