Disa qytetarë iu drejtuan qendrave të vaksinimit për t’i imunizuar të vegjlit kundër sëmundjeve ngjitëse.
E pas shtimit të rasteve me fruth në Kosovë, duket se është rritur edhe vetëdijesimi i prindërve për vaksinimin e fëmijëve të tyre në kohë.
Vetëm gjatë periudhës 16 prill deri më 15 qershor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar 36 raste të fruthit.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se gjatë periudhës 16 prill deri më 15 qershor 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 36 raste të konfirmuara me fruth. Nga numri i përgjithshëm i rasteve sipas komunave janë raportuar: Ferizaj (10), Prishtinë (8 ), Kaçanik (6), Fushë Kosovë (3), Lipjan (2), Obiliq (2), Vushtrri (2) si dhe nga një rast në Gjilan, Shtime dhe Deçan. IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”, thuhet nga IKShPK.
Ndërkaq edhe doktori i qendrës së mjekësisë familjare në Fushë-Kosovë ka treguar që interesimi për vaksinim ditëve të fundit ka shënuar rritje.
“Kohëve të fundit është vërejt një fluks më i madh i prindërve të cilët i bijnë fëmijet për vaksina të rregullta, në këto kanë ndiku rekomandimet e IKSHPK dhe falë këtyre rekomandimeve ku pas rasteve të fruthit kemi pasë fluks me të madh të fëmijëve për vaksinim”, deklaroi doktori në QKMF të Fushë-Kosovës, Mustaf Gashi.
Por cilat janë simptomat e fruthit?
“Simptomat të cilat e karakteritzojn fruthin janë së pari katari respirator, kemi të bëjmë me një virus tipik respirator pastaj fillon të paraqitet temperatura e cila shkon deri në 40 dhe pastaj fillon të paraqitet ekzantema e cila fillon nga veshët dhe zbret posht dhe përfshinë gjithë trupin”, tha infektologu, Shemsedin Dreshaj.
Sipas infektologut Shemsedin Dreshaj, pretendimet për një lidhje mes vaksinës kundër fruthit dhe autizmit kanë bërë që shumë prindër të hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.
“Realisht kjo po ndodh për shkak se një kohë të gjatë ka qarkullu në mesin e popullatës së gjerë besa edhe në mesin e profesionistëve pjesërisht të edukuar që vaksina e fruthit është përgjegjëse për paraqitjen e autizmit e që në esencë kjo nuk ka lidhje fare me të”, tha ai.
Dreshaj iu bën apel prindërve që të vaksinojnë fëmijët pasi sipas tij, kjo vaksinë është shumë e sigurt dhe të mbron edhe nga format më të rënda të fruthit.






