Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 24-vjetorin e Betejës së Koshares, duke thënë se në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, ajo mund të shihet si një panoramë e të gjitha betejave.
Kurti ka kujtuar mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, kur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sulmuan ushtrinë serbe, me qëllim thyerjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, raporton teve1.info.
Kryeministri ka thënë se pushkët e shkrepura atë ditë, kanë nisur luftimet e saj që tashmë njihet si Beteja e Koshares.
“Sot kujtojmë mëngjesin e hershëm të 9 prillit të vitit 1999, kur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sulmuan ushtrinë serbe, me qëllim thyerjen e kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Aksioni i ushtarëve të UÇK-së kishte tre caqe të pozicioneve të ushtarëve serbë: bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majën “Gllava”. Pushkët e shkrepura atë ditë, këtu e 24 vite më parë, nisën luftimet e asaj që tashmë njihet si Beteja e Koshares”, ka shkruar Kurti.
Gjatë dy muajve nga data 9 prill deri më 10 qershor, 24 vite më parë, Kurti ka thënë se më shumë se 100 ushtarë të UÇK-së do të binin dëshmorë gjatë luftimeve, kurse edhe më shumë do të plagoseshin.
“Për dy muaj, nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999, mijëra ushtarë të UÇK-së do të përballeshin në luftime të ashpra me trupat serbe, çka do të rezultonte me shumë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur nga të dyja palët. Më shumë se 100 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të binin dëshmorë gjatë luftimeve të atyre ditëve, kurse edhe më shumë se kaq do të plagoseshin. Në anën tjetër, mbi 100 pjesëtarë nga forcat serbe u vranë dhe trefishi i këtij numri prej tyre u plagosën”.
Kryeministri ka thënë se në këto luftime, ushtarët e UÇK-së do të ndihmoheshin nga armata shqiptare, konkretisht nga Divizioni i Kukësit.
“Kundërofensivat ushtarake të Serbisë më 14 prill me qëllim majën “Gllava” si dhe më 6 deri 11 maj në drejtim të Rrasës së Koshares, ishin të pasuksesshme përballë ushtarëve të UÇK-së që arritën t’i ruanin pozicionet e tyre. Në këto luftime, ushtarët e UÇK-së do të ndihmoheshin nga armata shqiptare përkatësisht Divizioni i Kukësit, që nga brezi kufitar do t’i përgjigjej me gryka artilerie sulmeve të artilerisë serbe. Nga ajri, ushtarët e UÇK-së do të përfitonin nga sulmet ajrore të NATO-s mbi pozicionet serbe, prej të cilave u vranë 16 ushtarë serbë dhe u plagosën mbi 40 të tjerë”, ka shkruar mes tjerash Kurti.
Sipas Kurtit, Beteja e Koshares ishte ferri mbi tokë.
“Në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave, te e cila mund të lexohen të përbashkuara karakteristikat e të dyja palëve ndërluftuese. Atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në betejën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, u ndihmua edhe nga ushtarët vëllezër prej Shqipërisë, si dhe e cila me luftën e saj të drejtë për liri, fitoi edhe përkrahjen e vullnetarëve të huaj në këtë rast, por mbi të gjitha, të aleancës së NATO-s, që përshpejtoi çlirimin e plotë të Kosovës. Në anën tjetër, atyre që po luftonin në një betejë të padrejtë dhe për një tokë që s’ishte as nuk mbeti e tyrja, forcave serbe për të cilët, Beteja e Koshares ishte ferri mbi tokë”, ka thënë i pari i qeverisë.
Kurti ka thënë se Beteja e Koshares është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën për liri.
“Bashkë me përmasat e saj në luftime, trupa dhe shtrirje territoriale, Beteja e Koshares është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën tonë për liri. Beteja e Koshares i ka garantuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një nga meritat më të veçanta të luftës, atë të thyerjes së kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të vendosur më 1913 dhe të rivendosur disa herë ndër vite, që i kishte mbajtur të ndarë shqiptarët për gati një shekull. Qysh atë kohë lufte, kjo e lehtësoi kalimin e armatimeve dhe të trupave vullnetare të UÇK-së nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Kosovës. Kurse pas përfundimit të saj njëkohshëm me vetë luftën, kjo betejë i përbashkoi fizikisht shqiptarët”.
Përfund, Kurti ka shkruar se “mes nderimeve për dëshmorët e lirisë, sot themi lavdi për dëshmorët e rënë në luftimet e Betejës së Koshares si dhe nderime atyre të plagosurve që nga atëherë e deri sot kanë bartur plagët e luftës për lirinë e Kosovës. Kujtime e histori, nderime dhe krenari!”. /teve1.info/