Nga fshati Lismir, në Prishtinë erdhën me 27 mars.
Atë të hënë, Lumnije Obërtinca bashkë me motrën e vëllain, iu bashkuan mijëra protestuesve.
Të gjithë shqiptarë tek Xhamia e Llapit në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1989, po i kërkonin të drejtat e tyre politike.
Por, protestës paqësore të shqiptarëve që erdhi 4 ditë pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, policia serbe kishte plan t’i përgjigjet më dhunë.
“Jemi ndal këtu, kemi pasur gurë me vete, po ashtu qepë që na i kanë dhënë gratë e shtëpisë (ku u strehuan për gjysmë ore). Edhe kur i kemi parë zhurmën e thirrjet e njerëzit, në njëfarë mënyrë të ngrehke toka, nuk kishe mundësi mu largu nga këtu. Policia kanë qenë të stacionuar në udhëkryq tek semaforët. Momentin që kemi filluar me gjuajt ne me gurë, kanë filluar me shtie drejt nesh”, Lumnije Obërtinca – motra e dëshmores, Shukrije
Në këtë formë, policia serbe nisi terrorin mbi protestuesit shqiptarë.
“I kam parë plumbat si breshëri që bie dhe në atë moment kam thënë mos të ndahemi, e kam kapur kryet, sikur kur mendon njeriu që plumbi vetëm në krye te merr”, thotë Obërtinca.
Por plumbave serb atë ditë nuk arritën t’i shpëtonin të gjithë protestuesit.
Kur menduan se shpëtuan, Lumnija pa se e motra 16 vjeçare, Shukrija, ishte qëlluar.
“Kjo rrugë këtu ka qenë mundësia e vetme për mu fsheh na prej policisë, pra, instinktivisht të vjen me u kthye këtu në ato momente. Gjithmonë pas Shukrijes kam qenë, dhe kur kemi hyrë këtu, e ka kapur barkun edhe u rrëzua përtokë”, thotë ajo”
E në shtëpinë e familjes Obërtinca në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, vendin qendror e zë fotografia e Shukrijes.
Babai i saj, Fetiu, kujton bisedën e fundit që e kishte me të bijën 16 vjeçare.
“Babë , më tha, Ferizaj u kall, i thashë cika jem, Ferizajin e mbrojnë bijtë e Ferizajt, qytetet e tjera i mbrojnë bijtë e qyteteve të veta. Kemi ngrënë bukë, e më tha, babë, me na i dhanë paret për autobus, i thashë jo se unë shkoj, më tha jo babë, sot është dita e rinisë”, tregon ai.
E pak orë pasi kësaj bisede, në Lismir arriti lajmi se Shukrije Obërtinca, ishte vrarë.
“U ardh një i Bardhit, tamon i kam çelë dyert, cika e madhe u dal prej kerrit, më tha babë Shukrija u rrëzua me krye në asfalt, i thashë hajli koftë. I ndërrova teshat, e pa hyp në kërr, ai (taksiti) me tha Zoti të lashtë shnosh se çika tu ka vra në demonstrata”, tregon babai i Shukrijes.
Shukrije Obërtinca u bë dëshmorja e parë e Fushë Kosovës, që ra për lirinë e vendit.
Bashkë me 16 vjeçaren atë ditë në Prishtinë, nga forcat serbe u vranë edhe Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli dhe Mustafë Veselaj.