Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit A.H., i dyshuar për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe shpëlarjes së parave.
Sipas njoftimit të gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka miratuar kërkesën e PSRK-së të paraqitur më 8 korrik 2026, pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
Gjykata vlerësoi se paraburgimi është masa e duhur në këtë fazë të procedurës, duke marrë parasysh peshën e veprave penale për të cilat dyshohet A.H.
Sipas arsyetimit, nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku që t’i shmanget procedurës penale, të bëhet i pakapshëm për organet e drejtësisë, të asgjësojë, fshehë ose falsifikojë prova, si dhe të ndikojë te personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast.
“I dyshuari A.H., dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, paragrafi 1 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK- së, dhe veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK, lidhur me nenin 56, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit”, thuhet në njoftim.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./teve1.info/







