Tymi i zjarrit po vjen nga bodrumi i këtij objekti.
Objektin e Nënstacionit elektrik Prishtina 3, zjarri e kaploi në orët e mëngjesit të së mërkurës.
Nga ky zjarr nuk pati persona të lënduar.
Mirëpo intervenimi zgjati deri në orët e mesditës.
Madje për t’ia lehtësuar punën zjarrfikësve po iu sjellin edhe qumësht.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi ka thënë që intervenimi ka qenë i shpejtë mirëpo i vështirë.
“Reagimi ka qenë i shpejtë. Tashmë po e shihni që gjithçka është në përfundim e sipër dhe gjithçka është drejtë fundit. Sa i përket të lënduarve nuk kemi informata se ka, që është lajm i mirë sigurisht”, tha Gashi.
Si pasojë e këtij zjarri në këtë trafo-stacion në kryeqytet, lagjet për rreth kanë mbetur pa rrymë.
Drejtori i drejtorisë për siguri dhe emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica ka thënë se po kërkohet zgjidhje alternative.
“Për momentin një pjesë e kryeqytetit është pa rrymë pasi që kjo është një prej trafostacioneve kryesore, pra Arbëria dhe Qendra janë pa rrymë. Ekipet e KEDS-it janë duke punu që sa më shpejtë të gjejnë zgjidhje alternative që rryma të kthehet në këto pjesë”, tha Fushtica.
Mirëpo deri në këtë periudhë, Fushtica thotë se nuk dihet shkaku.
“Policia është duke u marrë me hetime. Derisa nuk kemi ende ndonjë dyshim për arsyet e zjarrit”
Në vendin e ngjarjes, ka pasur edhe hetues dhe zyrtarë të KEDS-it.
Mirëpo edhe nga ky institucion ende nuk po e dinë shkakun e zjarrit.
“Ju informojmë se para rreth një ore ka shpërthyer një zjarr në Nënstacionin Prishtina 3, me ç’rast një numër i caktuar i konsumatorëve nuk kanë rrymë. Aktualisht po punohet në pastrimin e hapësirave të shkaktuara nga zjarri, ndërkaq nuk dihet akoma se çka e shkaktoi atë”, thuhet nga KEDS.
E operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët që kanë mbetur pa energji elektrike.
Sipas njoftimit, me të marrë lajmin, ekipet relevante të KOSTT-it kanë njoftuar ekipet emergjente, të cilat kanë dalë në vend të ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe ekipe të Policisë së Kosovës.