Por, dy emisarët gjatë këtij viti në bashkë-koordinim do të jenë edhe për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi. Kështu njoftoi, Lajçak përmes një postimi në Twitter.
“Po hartojmë hapat e mëtejshëm në dialog me kolegun dhe mikun tim amerikan nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Escobar. Mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë shumë të ngushtë në vitin 2023”, ka thënë ai.
Nga ky postim i Lajçak, profesori universitar Seb Bytyqi thotë se po bëhet e ditur se roli amerikan do të jetë më direkt në procesin e dialogut.
“Kjo nënkupton se kemi një përfshirje direkt të përfaqësuesit amerikan në hartimin e agjendës së dialogut. Dhe pra rrjedhimisht nënkupton edhe një përfshirje të SHBA-së më të drejtpërdrejtë në dialog. Ky vit shihet si vit kur duhet të arrihet marrëveshja d.m.th deri më tani ka pasur mbështetje amerikane për dialogun, mirëpo jo edhe përfshirja aq të drejtpërdrejtë”, tha ai.
E Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se angazhimi më i madh amerikanë në dialog, nuk nënkupton që SHBA do të ulet në tavolinën e negociatave.
“Marrë parasysh edhe deklaratën e zotëri Biden edhe deklaratat e zotëri Biden, po ashtu edhe të Departamentit të Shtetit që udhëheqësi zyrtarë kryesor i dialogut Kosovë – Serbi, është Bashkimi Evropian dhe ne jemi përkrahës jemi mbështetës dhe jemi të angazhuar për të gjetur zgjidhje dhe opsione. Besoj që SHBA do të jetë gjithmonë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi, por jo në tavolinën zyrtare, siç e kemi parë me zotëri Borrell dhe zotëri Lajcak, ndonëse një inkuadrim i tillë do të ishte befasi”, tha Fetahu.
Në opinionin publik në Kosovë, në vazhdimësi është kërkuar që SHBA të jetë më e përfshirë në proces dhe të jetë garantuese për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë.
Kronika e gazetarit Valmir Gallopeni.







