Me duart mbrapa e kokën lart, e prisnin urdhrin për parakalim.
Nuk vonoi shumë, e 279 zyrtarë policorë vazhduan parakalimin.
Gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës të premten diplomuan në prani të familjarëve e krerëve institucional.
Me t’i zënë vendet e tyre, paraprakisht u lëshua himni kombëtar.
Më pas edhe ai i Policisë.
Më pas, u mbajte edhe 1 minutë heshtje në nderim të zyrtarëve policor të rënë në detyrë.
Kështu filloi ceremonia e kadetëve të rinj të policisë së Kosovës, ndërkaq fjalë rasti mbajti zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, i cili tha se edhe në këtë gjeneratë janë të gjitha komunitetit, pa dallim.
“261 shqiptar, 11 serb, 4 boshnjak, 2 egjiptian dhe 2 turq, i përbashkon misioni e qëllimet e njëjta. Ju jeni këtu jo vetëm për të diplomuar por për tu betuar që do ta përfaqësoni këtë uniform, duke e lartësuar historinë e saj dhe atë të vendit tonë, duke dhënë betimin se do të punoni çdo ditë me profesionalizëm e integritet në interes të vendit tonë”, tha Bislimi.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se kjo gjeneratë janë mbështetja e vizionit të përbashkët për një polici profesionale.
“Kjo gjeneratë që sot jep betimin si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë mbështetja e vizionit tonë të përbashkët për një polici profesionale, që garanton rend dhe ligj, që respekton e mbron qytetarët tanë, dhe që me integritet e disiplinë mbron besimin e qytetarëve të ndërthura ndërvite për Policinë e Kosovës. Ky fakt ngritë ndjenjën e përgjegjësisë tek secili kadet dhe tek secila gjeneratë”, tha Sveçla.
E drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha i kërkoi zyrtarëve të rinj policor t’i shërbejnë Policisë së Kosovës me profesionalizëm.
“Të dashur kolegë, ju kërkoj të jeni shumë profesional, human e racional gjatë marrjes së vendimeve tuaja. Mbajeni mend se arma më e fort me të cilën jeni pajisur nuk është arma dhe pajisjet që mbani në brez është komunikimi është komunikimi që ju do të zgjidhni që do të aplikoni gjatë ballafaqimit me sfida dhe situata të vështira”, tha Hoxha.
Si rëndom në ceremoni të tilla, u bë edhe betimi.
Ata që i shërbejnë nga sot këtij institucioni, thanë për Tëvë1 se do t’a kryejnë punën me nder dhe përkushtim.
“Po ndihna shumë mirë dhe krenar dhe do të mundohem me tregua profesionalizëm në gjithë jetën saipërket punës së Policisë. Gjithmonë me integritet të lartë dhe duke ju falënderua instruktorët që na kanë mësuar punën qysh është mësë miri”, deklaroi kadeti Labinot Piraj.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe pjesëtarë të KFOR-it amerikan.