224 raste me fruth janë konfirmuar në Kosovë nga 16 prilli deri më 18 tetor 2026, ndërsa 21 raste të reja janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), i cili ka theksuar rëndësinë e vaksinimit në parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje ngjitëse.
Sipas IKShPK-së, mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.
Instituti ka rikujtuar se vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të komunitetit në përgjithësi.
Përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar edhe vaksinimin plotësues për fëmijët që nuk janë vaksinuar me kohë.
Si rezultat i kësaj fushate, gjatë vitit 2026 janë vaksinuar mbi 3 mijë e 481 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.
IKShPK ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të sigurohen që fëmijët e tyre të jenë të vaksinuar sipas rekomandimeve shëndetësore.
“Çdo fëmijë i vaksinuar është një jetë më shumë e mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes definitive të përhapjes së fruthit. Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/




