Sot bëhen 14 vjet nga vrasja e Selver Haradinajt, i cili humbi jetën më 8 prill 2012 nga shpërthimi i një mjeti eksplodues në veri të Mitrovicës, një rast që mbeti i pazbardhur për vite me radhë.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjen Haradinaj, duke kujtuar ngjarjen si një sulm terrorist dhe duke vlerësuar qëndrueshmërinë e familjes për të vazhduar jetën në pronën e tyre.
“E vizituam familjen e Selver Haradinaj, pikërisht kur janë bërë 14 vite nga sulmi terrorist i cili e vrau atë në banesën e tij. Fatmirësisht atë botë patën shpëtuar fëmijët e tij dhe bashkëshortja e tij. E falënderojmë vëllain e tij Zymerin bashkë me vëllain tjetër Agronin, që na mirëpritën në atë banesë që tash është duke u renovuar dhe ku banojnë, jetojnë e zhvillohen të sigurt. Por, edhe tre djemtë e tij që tashmë ishin rritur, Armendi, Alberi dhe Arbeni, për atmosferën e përzemërt që na kanë krijuar në banesën e tyre dhe për qëndresën e tyre që të mos zhvendosen nga prona e tyre ku banojnë dhe ku tani do ta kenë edhe shtetin e Kosovës, Republikën tonë demokratike e të pavarur e cila me sundim të ligjit i mbron të gjithë pa dallim”, tha Kurti.







