Kuvendi i Kosovës e ka filluar seancën e së enjtes me një minutë heshtje, në nderim të përvjetorëve të masakrave që po kujtohen këto ditë e ku u vranë e masakruan qindra civil të pafajshëm anë e kënd Kosovës, raporton teve.1info
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se në këto ditë kujtimi dhe dhimbje ku para dy ditëve ishte përvjetori i masakrës në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël. Dje përvjetori i masakrës në Dardani të Pejës dhe sot përvjetori i masakrës në Izbicë të Skenderajt si dhe masakrat në familjet Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, kërkoi një minutë heshtje nga deputetët.
Konjufca në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka shprehur ngushëllime edhe për vdekjen e ish-senatorit amerikan, Joseph Lieberman.
“Dëshiroj që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në emër të të gjithë juve si deputetë, t`i shprehim ngushëllime senatit amerikan dhe familjes Liberman, sepse dje ndërroi jetë miku i madh i Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve, senatori amerikan Joseph Lieberman, i cili për 34 vite ishte anëtar i senatit amerikan dhe një mik shumë i madh i interesave tona, i cili në çdo moment jo vetëm nuk hezitoi, por në mënyrë të palodhshëm e mbrojti kauzën për lirinë e popullit të Kosovës, për Kosovën Republikë si shtet i pavarur dhe sovran. Prandaj, mendimet tona janë me familjen Liberman dhe senatin amerikan. Do të kujtohet pa dyshin nga populli dhe shoqëria e jonë”, ka thënë Konjufca.