Analisti politik, Leon Harwell në një intervistë për tëvë1 ka thënë që rasti i Banjskës mund të përsëritet. Andaj ai vlerëson që Kosova duhet të përgatitet për një gjë të tillë teksa kritikon Serbinë për qasje destruktive.
Që më shumë se një dekadë, Kosova dhe Serbia tentojnë të normalizojnë raportet në tavolinën e bisedimeve në kryeqendrën evropiane.
Por, devijime në hapa ka bërë pala serbe disa herë.
Andaj, Leon Harwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS-shkollën e Londrës për Ekonomi dhe analist politik thotë që qasja perëndimore ka vënë prioritet Serbinë, e sheh atë si karakter me forcë “stabilizuese” në rajon, në Ballkan.
“Por, mendoj që ka dështuar së pranuari që regjimi i Vuçiq është forcë destabilizuese. Pothuajse të kujton periudhën e Millosheviçit në rajon. Vuçiq ka destabilizuar situatën ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, shumë herë, p.sh. në shtator të vitit 2021 kur çfarë dukej një mosmarrëveshje e thjeshtë për targat, përfundoi me tanke dhe aeroplanë luftarakë përgjatë kufirit. Pastaj vitin e kaluar duke nxitur tensione në Kosovën veriore, kur serbët e Kosovës lënduan shumë forca ushtarake të NATO-s, dhe nuk ishte bërë gjë, por Kosova ishte përjashtuar nga stërvitja ushtarake, me SHBA-të e disa vende anëtare të NATO-s, Serbia ishte shpërblyer për sjellje të keqe duke pritur SHBA-të dhe, mendoj, rreth tetë shtete tjera të NATO-s, dhe pastaj pas sulmit terrorist në Banjska, sepse ashtu ishte, sulm terrorist. Sigurisht që ka rrezik të shohim atë çfarë ndodhi në Banjskë të përshkallëzohet prapë, sepse nuk mendoj që kjo ishte vendi i parë ku ishte konfiskuar sasi e madhe armatimi të grupeve të caktuara radikale në pjesën veriore të Kosovës”, ka deklaruar Leon Harwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS-shkolla e Londrës për ekonomi.
Harwell, e thotë me bindje se armët që u përdorën në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ishin siguruar me anë të kanaleve dhe ndihmave shtetërore.
Duke i parë gjithë këto, ai vlerëson që mund të përsëritet sulmi si i 24 shtatorit.
“Mendoj që Kosova duhet të jetë e përgatitur për situata si kjo në të ardhmen e afërt. Mendoj që Kurti është në një pozitë shumë të ngushtë dhe të rëndë, për shkak se disa komente të tija kontribuan në disi tensione në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe partnerëve perëndimorë, e të cilat burojnë edhe nga dialogu, saktë? Ai është shtyrë shumë rëndë që të implementojë “marrëveshjet” për të cilat thashë që ka pikëpyetje të mëdha në to. Ç’nënkupton kjo? Kjo domethënë që presioni është mbi të, qeverinë e Kosovës të implementojë marrëveshjet, por çka përfitojnë? A implementohen ato me shpresën që do të fitoni një lloj përkrahje në të ardhmen? Ose vononi këto me shpresën që mund t’i bëni në rrethana më të mira në të ardhmen? Është goxha dilemë e madhe. Pra, po, mendoj që sigurisht ka tensione”, është shprehur Harwell.
Tutje, Harwell flet edhe për ujdinë e Ohrit, për të cilën vlerëson që nuk është marrëveshje.
“Marrëveshja e Ohrit” nuk është marrëveshje pavarësisht çfarë thotë BE-ja e SHBA-ja. Sipas ligjit ndërkombëtar, palët lidhin marrëveshje atëherë kur nën një marrëveshja nënshkruhet, nën dy marrëveshja ratifikohet. Pra, presidenti apo kryeministri, varësisht nga Kushtetuta, së pari duhet të nënshkruajnë marrëveshjen e pastaj duhet të dërgohet në parlament, së pari për aprovim, dhe pastaj parlamenti duhet të adoptojë legjislaturën që të sigurohet se nderon atë marrëveshje. Marrëveshja e Ohrit kurrë nuk është nënshkruar apo ratifikuar nga palët. Procesi i marrëveshjes së vitit 2013 kurrë nuk është ratifikuar nga të dy palët. Pra kjo vë në pyetje çfarë detyrime kanë këto palë”, ka deklaruar Harwell.
Analisti politik nga Londra konsideron që presidentit Vuçiq i mungon gatishmëria për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Në rrethanat aktuale, siç thotë ai, Serbia refuzon të njohë Kosovën, e që është bërthama e këtij konflikti.
Po ashtu, Harwell thotë që Serbia çdo ditë e më shumë bëhet më autokratike.