Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave të dyshuar për hedhje të granatave të dorës gjatë muajit qershor të vitit të kaluar në lokalin “Riza Hair Sallon” në Prishtinë dhe “Missini” në Mitrovicë, raporton teve1.info
Sipas komunikatës së Prokurorisë, aktakuza është ngritur kundër njëmbëdhjetë të pandehurve me inicialet: L.B., B.S., A.K., V.B., A.P., K.K., F.C., A.M., G.I., D.R., dhe E.C. për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Detyrimi”.
“Prokuroria Speciale njofton se aktakuza e ngritur kundër njëmbëdhjetë (11) të pandehurve me inicialet L.B., B.S., A.K., V.B., A.P., K.K., F.C., A.M., G.I., D.R., dhe E.C është ngritur për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së lidhur me veprat penale , “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Po ashtu, ndaj të pandehurit A.P, është ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Deklarimet e rreme”, nga neni 384 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Ndërkaq, ndaj të pandehurit L.B. edhe për shkak të veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
“Rasti ka të bëjë veprat penale të kryera gjatë muajit qershor të vitit 2022, në Prishtinë dhe në Mitrovicë, ku kemi pas hedhje të mjeteve shpërthyese – granatave të dorës në lokalet e “Riza hair Sallon” në Prishtinë dhe në Lokalin “Missini”, në Mitrovicë, ku pas një pune intensive hetimore të Prokurorisë Speciale, është arritur deri tek zbulimi i kryerësve të veprave penale të lartcekura, si dhe, arrestimi i tyre”, thuhet në komunikatë.