Pasditen e së premtes rreth 40 persona u helmuan nga ushqimi i shpejtë në një lokal në Malishevë, ku 11 prej tyre janë duke marrë trajtim mjekësor në Kliniken Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Nga kjo Klinikë për Tëvë1 është deklaruar doktoresha, Lindita Ajazi, e cila bëri të ditur se gjendja e tyre momentalisht është stabile.
“Për momentin në gjendjen Klinike Infektive i kemi të spitalizuar 11 pacientë, këta janë personat të cilët kanë konsumuar ushqimin e njëjtë dhe kanë pasur nevojë për trajtimin spitalor. Për momentin gjendja e tyre është stabile, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe presim t’i përcjellim në ditët në vazhdim gjendjen e tyre”, tha doktoresha Lindita Ajazi.
Ajazi, tha se për 11 pacientët pas 24-orëve do të bëhet vlerësimi se a do të vazhdojnë me trajtim mjekësor apo do të jenë në gjendje që të lirohen për në shtëpi.
“Është afat i shkurtër për të dhënë ndonjë vlerësim ajo çfarë është me rëndësi është se këta të gjithë që janë hospitalizuar është një afat i shkurtër brenda 3-4 orëve që kanë ardhur disa prej tyre dhe mbetet që mëtutje së paku 24 orë e para të përcillen dhe pastaj varësisht prej gjendjes bëhen edhe vlerësimet se a duhet ta vazhdojnë trajtimin apo edhe mund të lirohen në shtëpi. Aktualisht bazuar në analizat laboratorike që i kemi marrë për këta pacientë dhe disa prej tyre edhe i presim në orët në vazhdim, ata kanë nevojë për tretje infuzive nuk është që është bërë ndonjë trajtim specifik, por tani disa prej që kanë ardhur në orët më të vona priten edhe analiza dhe varësisht prej gjendjes mund edhe të evitohet terapia”, deklaroi doktoresha nga Klinika Infektive.
Lidhur me këtë ngjarje për teve1.info, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, thotë se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe lokali në të cilin pacientëve iu është servuar ushqim i shpejtë është mbyllur.
“Rreth orës 16:50 kemi pranuar informatë se disa persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-Malishevë, nga raportet fillestare mjekësore, dyshoheshin për helmim si pasojë e ngrënjes së ushqimit në një lokal ku shërbehen ushqime të shpejta. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe inspektorët komunal si dhe ata të Agjensisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Lokali përkohësisht është mbyllur nga këta të fundit”, tha ai.
Gjithashtu, Elezaj ka bërë të ditur se në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar pronari i lokalit.
“Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar pronari i lokalit dhe lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Prodhimi dhe vënja në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë. Rasti do të hetohet në procedurë të rregullt”, njoftoi zyrtari policor./teve1.info/