Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar konsumatorët e energjisë elektrike se është duke monitoruar me kujdes dhe në vazhdimësi shqetësimet e raportuara për devijime të mundshme të orëve tarifore në faturim.
Sipas njoftimit, institucioni është duke grumbulluar informata për të siguruar matje të drejtë dhe të saktë të konsumit të energjisë elektrike, në mënyrë që faturimi të reflektojë realisht shpenzimin e konsumatorëve.
ZRRE u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të problemeve të tilla, fillimisht t’i drejtohen KEDS për verifikim dhe inspektim të njehsorëve elektrikë.
Ky institucion ka siguruar se të gjitha rastet e raportuara për mospërputhje të kohës tarifore do të analizohen me kujdes, ndërsa nëse konstatohen gabime në funksionimin e njehsorëve, do të ndërmerren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në reagim theksohet se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara, të cilat operojnë sipas kornizës ligjore dhe rregullative, ndërsa të hyrat e tyre përcaktohen nga ZRRE, duke kufizuar mundësinë e përfitimit nga gabime eventuale në matje.
Po ashtu, bëhet e ditur se përgjegjës për shqyrtimin dhe kalibrimin e njehsorëve është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, si institucion kompetent për garantimin e saktësisë së pajisjeve matëse.
ZRRE ka ritheksuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë, transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.







