Si pasojë e zgjedhjeve qendrore që do të zhvillohen të dielën, më 28 dhjetor, Kupa e Kosovës në basketboll është shtyrë për vitin 2026.
Kështu njoftoi të hënën Federata e Basketbollit e Kosovës, ku thuhet se, me vendim të Bordit të FBK-së, ndeshjet e para të Kupës do të zhvillohen në fillim të vitit të ardhshëm.
Fillimisht, ndeshjet e Kupës së Kosovës në basketboll ishin paraparë të zhvilloheshin më 24 dhe 25 dhjetor, mirëpo tashmë gjithçka ka ndryshuar.
Përveç Kupës së Kosovës, janë shtyrë edhe ndeshjet e xhirove të rregullta në Superligë, ku në fundjavë u zhvilluan ndeshjet e fundit për këtë vit, të cilat u përmbyllën me xhiron e 13-të.
Superliga do të rikthehet nga pauza pas ndeshjeve të Kupës, pra pas 7 dhe 8 janarit, data këto që janë të rezervuara për Kupën e Kosovës.
Liderja aktuale e Superligës është Trepça, pasuar nga Bashkimi në vendin e dytë dhe Peja në vendin e tretë.
Në vendin e katërt ndodhet Prishtina, pas saj Bora në vendin e pestë dhe Rahoveci në të gjashtin, ndërsa në vendin e shtatë renditet Ylli dhe Vëllaznimi i Gjakovës është i fundit.








