E mbështeti në garën e 14 shkurtit të vitit 2021.
E tash Albin Kurti po synon t’ia kthejë borxhin politikanit zviceran.
Shtatori do të jetë muaji kur Kurti pritet të marrë pjesë në një tryezë të organizuar nga Partia Socialdemokrate zvicerane në prag të zgjedhjeve atje.
Ani se kryeministri kosovar ka arsyetuar mbështetjen e socialdemokratëve në Zvicër, për shkak që njihet që nga viti 2000 me kryetarin e kësaj partie, Cedric Wermuth, po interpretohet si tendencë për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Korab Rashiti, deputet në Kantonin e Bernës në Zvicër, ka thënë për Tëvë1, se kryeministri kosovar duhet ta ketë të qartë një gjë.
“Gjatë këtyre zgjedhjeve disa kandidatë për Këshillin Kombëtar me prejardhje kosovare (shqiptare) janë kandidatë. Në këtë kontekst, kryeministri përkrah idenë që personat me dy shtetësi të përfshihen në jetën demokratike në Zvicër. Megjithatë, duhet të kemi kujdes për keqkuptim, pasi kultura politike është ndryshe në Zvicër, ku një kryeministër (ekzekutiv) nuk mund të jetë kryetar i një partie. Me kryeministrin duhet që të jetë e qartë kur flet, nëse flet si kryeministër apo kryetar i partie”, thotë Rashiti.
Kritikë ndaj kryeministrit kosovar, dha edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Popullore zvicerane dhe Këshilltari Kombëtar Peter Keller.
Gjithë këtë ai e ka quajtur si veprim të gabuar.
“Zvicra nuk duhet të ndërhyjë në fushatat zgjedhore të huaja dhe vendet e huaja nuk duhet të ndërhyjnë në fushatën zgjedhore zvicerane”.
Nga Partia Popullore e Zvicrës po e konsiderojnë diçka të tillë si “plotësisht të gabuar”.
Derisa, shqiptari Bashkim Iseni, nuk e sheh edhe fort të gabuar bashkëpunimin e Kurtit në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes me socialdemokratët zviceran.
Veçse ky po thotë se më mirë do të ishte angazhimi më i madh i qeverisë kosovare për sigurimin e disa çështjeve tjera për mërgimtarët.
Përparim Avdili një shqiptar nga një fshat i Maqedonisë së Veriut ka thënë se “fakti që Kurti po bën fushatë për Partinë Socialdemokrate në rolin e një partie të krahut të majtë është shokuese”.
Avdili ka thënë se kosovarët që jetojnë në Zvicër mund t’i marrin vendimet për zgjedhjet në Zvicër edhe pa “I thënë një politikan kosovar se për kë të votojnë”.
Zgjedhjet kombëtare në Zvicër do të mbahen më 22 tetor, derisa në këto zgjedhje shumë kandidatë për Këshillin Kombëtar zviceranë do të jenë me prejardhje nga Kosova.
Kronika e realizuar nga gazetari Arton Rama