I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Sadik Zeqiri e ka vlerësuar fyese dhe skandaloze ekspozitën për masakrat në Kosovë, të organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA.
Në të dhënat në këtë ekspozitë është përmendur edhe masakra në Burgun e Dubravës, ku aty thuhet se në mesin e të vrarëve e të masakruarave kanë qenë 48 të burgosur të armatosur.
E Zeqriri ka shtruar pyetje se ku i gjetën autorët e kësaj ekspozite këto të dhëna, duke shtuar se “arma” e tyre vetme ka qenë një lug e plastikës që e kanë përdorur për ushqim.
Sot e kemi vërejtur që autori i kësaj ekspozite, Shkelzen Gashi, i cili për me bë këtë ekspozitë është mbështetur edhe nga Kuvendi i Kosovës dhe kompani private ka qit në lajthitje të gjithë ata që kanë pasur mundësi me i pa me shënime të pasakta duke i fyer edhe të vrarit dhe masakruarit.
“Jemi befasuar sot kur e kemi parë që për historikun e Burgut të Dubravës është shkruar që janë vra 48 të burgosur të armatosur dhe mbi 50 të tjerë civilë. Dua me pyet z.Gashi se ku i ka gjet ata të armatosur të cilët kanë qenë në burgun e Dubravës, ku aty të burgosurit bashkë me mu nuk kanë pasur as lidhëse të këpucëve dhe arma më e madhe ka qenë një lug e plastikës që e kemi përdoru për ushqim. Unë nuk e di ku është bazuar në këto informacione”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ai ka thënë se Shkelzen Gashi duhet të jap përgjegjësi para institucioneve të drejtësisë.
“Është mirë që Prokuroria e Kosovës qysh sonte të arrestojë z.Gashi dhe të merret me falsifikimin e tij dhe falsifikim që po dëshiron me ja bë historisë së Kosovës. Gashi duhet të jap llogari para institucioneve të drejtësisë së Kosovës”, ka thënë Zeqiri.




