Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me rritjen e çmimeve të derivateve, duke e akuzuar për mungesë të veprimeve konkrete dhe qasje joefektive në menaxhimin e situatës.
E ftuar në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Ymeri tha se roli i Qeverisë është reduktuar në një funksion mbikëqyrës, ndërsa përgjegjësitë kryesore po mbulohen nga institucionet e tjera.
“Qeveria e ka zvogëluar rolin e vet sikur të ishte vetëm roje. Por qeveria nuk është roje, është menaxhuese. Vendimi i Ministrisë së Industrisë për vendosjen e çmimit tavan nuk është zgjidhje. Krejt kjo punë është duke u bërë nga Dogana, që kontrollon çmimin hyrës dhe marzhën. Nuk ka pasur nevojë të paguhen kaq shumë ministra për këtë rol”, ka thënë Ymeri.
Ajo shtoi se Qeveria nuk ka ofruar asnjë alternativë konkrete për përballimin e rritjes së çmimeve, duke e cilësuar qasjen e saj si refuzuese dhe të mbyllur ndaj dialogut.
“Roli i Qeverisë është injorues dhe refuzues në dialog dhe nuk ka dhënë asnjë zgjidhje të mundshme”, u shpreh ajo.
Ymeri komentoi edhe deklaratat e ministres Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se lirimi nga TVSh-ja për derivatet dhe heqja e akcizës nuk mund të ndodhin.
“Edhe në këtë rast, zonja Kusari nuk po thotë asgjë konkrete sa i përket kësaj situate”, ka shtuar Ymeri./teve1.info/







