Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama se përgjegjësia për situatën financiare të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) bie mbi qeverisjen e Vetëvendosjes.
Ai ka thënë se LVV-ja e ka kundërshtuar marrëveshjen e bashkinvestimit dhe ka paralajmëruar për pasojat që mund t’i shkaktoheshin ndërmarrjes.
“Dihet qartë që LVV-ja e ka kundërshtuar këtë proces që nga dita e parë. Që nga viti 2018 kemi paralajmëruar se drejtorët e Shpend Ahmetit po falsifikojnë dokumente dhe NPB-ja është në rrezik. Është e vetmja LVV-ja që ka alarmuar për rrezikun që po i kanosej në NPB”, ka deklaruar ai.
Sipas Azemit, përpjekjet për të adresuar këtë çështje në Kuvendin Komunal të Prishtinës janë penguar nga partitë e tjera politike.
Ai e ka akuzuar Ramën se nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për mbrojtjen e interesave të NPB-së.
“Për më shumë se katër vjet PDK-ja ka pasur rol vendimtar në NPB. Kronologjia është e qartë, LVV-ja e kundërshtoi këtë marrëveshje të dyshimtë. Edhe një herë po dëshmohet se kur bëhet fjalë për interesa të ngushta, këta bëhen bashkë sepse në realitet janë bashkë”, ka thënë ai.
Ndryshe, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e llogarive të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).
Sipas vendimit të Gjykatës Komerciale, NPB-ja duhet t’u paguajë tri kompanive private rreth 32 milionë euro për fitimin e humbur.
Rama ka deklaruar se kontrata nga e cila rrjedh kjo çështje ishte nënshkruar para mandatit të tij, ndërsa gjatë qeverisjes së tij ishte kërkuar që ajo të hetohej.
Çështja buron nga një marrëveshje bashkinvestimi e vitit 2021 ndërmjet NPB-së dhe tri kompanive private për ndërtimin e një kompleksi banesor dhe afarist në Lakrishtë.
Projekti, i cili parashihte ndërtimin e pesë objekteve, nuk u realizua dhe mosmarrëveshja mes palëve përfundoi në procedurë gjyqësore./teve1.info/







