Pas çdo seance, del i pari para gazetarëve.
Kësaj radhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, doli me një njoftim për një kërkesë të re të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai tregoi, se VV-ja propozoi që të mos mblidhen më çdo 48 orë.
“E para, deputetët e partisë që doli e para në zgjedhje, nuk erdhën as me kohë. Erdhën 45 minuta me vonesë. Kur erdhën patën një kërkesë që në mënyrë të organizuar ta shkelim rregulloren. Kërkesa e tyre është në kundërshtim me rregulloren që thotë se të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi. Kërkuan të mblidhemi një herë në javë. E para është krejtësisht e papranueshme me bë kërkesë të tillë me shkelë deputetët rregulloren me vetëdije. E dyta vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë me tentu me bë zgjidhje me lëviz para, por thjeshtë këto repriza mos me u mbajt jo çdo dy ditë, por çdo javë”, tha Krasniqi.
Kërkesa, nuk i pëlqeu as Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami e akuzoi Vetëvendosjen për mungesë vullneti në konstituimin e Kuvendit.
“Në fakt, ne këtë e shohim indikacion shtesë që Lëvizja Vetëvendosje nuk është absolutisht e interesuar që ta bëjë konstituimin e Kuvendit, ata mungesën e institucioneve të Kuvendit dhe të Qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të deputetëve vetëm ky është problemi i tyre. Normalisht që u refuzua një kërkesë e tillë”, u shpreh Bajrami.
Mirëpo, sipas partisë që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, propozimi nuk përbën asnjë shkelje.
“Përderisa e deritashme të opozitës nuk e kanë asnjë reflektim në raport me përgjegjësinë e tyre për zhbllokimin e punës së Kuvendit. Edhe këtu sot dëgjuam deklarata në të cilën u akuzuam edhe njëherë për shkelje përkundrejt se ai ishte një propozim për dakodrim i cili nuk u mbështet dhe nuk u realizua. Rrjedhimisht nuk ka asgjë për theksuar që cilësohet si shkelje përveç se një përpjekje për të kthyer pak sa në një orar tjetër këto takime”, tha Kusari – Lila.
Për dështimin e seancës së shtatëmbëdhjetë për konstituim të Kuvendit, nuk foli as kësaj radhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.