Vetëm pak orë para se Gjykata Kushtetuese të del me vendim rreth ngërçit në institucionin legjislativ, foli kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se kanë bërë kompromise në tentativën për konstitituim të kuvendit, por që sipas tij, nga pala tjetër nuk ka pasur ofrim bashkëpunimi.
“Kur Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin paraprak na pat thënë me pikën e veçantë se marrëveshjet politike duhet të arrihen mes grupeve parlamentare sepse mosmarrëveshjet nuk i zgjidh gjykata, menjëherë dy partitë kryesore opozitare, sërish dërguan lëndë në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Kurti.
Për aktgjykimin e Kushtetueses kryeministri në detyrë foli edhe të mërkruën, me ç’rast tha që do ta respektojnë vendimin e Gjykatës.
Por, aktgjykimi i Kushtetueses i cili urdhëron deputetët ta zgjedhin kryetarin e kuvendit me votim të hapur nuk u mirëprit nga disa deputetët të Vetëvendosjes.
Ministri në detyrë i financave e quajti këtë Gjykatë si vegël të gardës së vjetër politike.
“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë. E provuan më 2020, kur thanë se populli nuk vendos se kush e udhëheq qeverinë, dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021”, tha Hekuran Murati.
Kritika në drejtim të Gjykatës hodhën edhe disa deputetë tjerë.
Ndërsa, partitë ish opozitare e mirëpritën vendimin e Kushtetueses.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi kjo është fitore për rendin kushtetues dhe qytetarët.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë. Për gjashtë muaj, qytetarëve iu mohua përfaqësimi, institucioneve iu ndal funksioni, e vendit iu imponua stagnimi. Përballë kësaj sjelljeje, ne zgjodhëm rrugën e maturisë, ligjshmërisë dhe besimit në Kushtetutë. Si Grup Parlamentar i PDK-së, e ndërmorëm këtë nismë me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues”, deklaroi Krasniqi.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur aktgjykimin me ç’rast ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të kushtetutës.
“Njoftimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është i qartë e i prerë. Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të ndërmarrë veprime që sot janë shpallur të pavlefshme dhe antikushtetuese nga autoriteti më i lartë kushtetues i vendit.. Ky nuk është gabim procedural i një deputeti të VV-së, kjo është një përpjekje e qëllimshme për të kapur institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës , Kuvendin e Kosovës, përmes veprimeve të paligjshme dhe me kundërshtim me Kushtetutën.. Përballë këtij precedenti të qëllimshëm, LDK-ja, mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ripohojmë qëndrimin tonë të palëkundur si forca politike që gjithmonë ka qenë dhe është mbetur garantuese e rendit kushtetues dhe funksionimi normal të institucioneve demokratike”, deklaroi Besian Mustafa.
Kurse nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh se me këtë aktgjykim është e qartë se Kosova nuk mund të bëhet diktaturë.
“VV duhet ta propozojë kandidatin-en për Kryeparlamentar dhe deputetët të votojnë në votim të hapur. Nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozim vetëm të një kandidati. Nuk mund të mbahet peng shteti vetëm për ambicie të sëmurë të një personi. ‘Shteti nuk i nënshtrohet një individi’”.
Deri më tani Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun si kandidate për kryeparlamentare.