Nënkryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Nikola Vujoviq deklaron se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Malit të Zi është në një nivel të ulët ekonomik.
Ai thotë se situata politike në të dy vendet nuk është aq stabile. Sipas tij, qasja jo e mirë politike nuk po ofron një bazë të mirë për zhvillim dhe stabilitet ekonomik.
Derisa shpreson se marrëdhëniet e mira politike do të jenë të stampuara, duke siguruar zhvillimin ekonomik të dy vendeve, ai shton se partnerët nga Bashkimi Evropian apo ShBA, duhet të ofrojnë mbështetje në këtë drejtim.
Vujoviq thotë se marrëdhëniet e mira politike janë parakushti kryesor për të përmirësuar ekonominë.
“Marrëdhëniet mes vendeve tona patjetër janë të mira dhe sigurisht që duhet të jenë edhe më të mira në të ardhmen dhe nuk ka arsye të mos jetë kështu se marrëdhëniet e mira politike janë ndoshta parakushti kryesor për marrëdhënie të mira ekonomike mes shteteve të tjera. Sa i përket kësaj, shpresoj se do të vazhdojmë të rrisim aktivitetet tona ekonomike ndërmjet vendeve tona dhe besoj vërtet se do të gjejmë disa fusha të reja pune. Tani për tani, ky bashkëpunim është ndoshta në nivel të ulët në disa fusha si tregtia apo fusha të tilla. Por, në të ardhmen shpresoj se marrëdhëniet e mira politike do të jenë të stampuara në marrëdhëniet tona ekonomike, duke siguruar zhvillimin ekonomik të vendeve tona”, thotë Vujoviq.
Vujoviq shprehet se për të zhvilluar një ekonomi të mirëfilltë mes dy vendeve, duhet fillimisht të përmirësohet situata politike.
“Padyshim që stabiliteti ekonomik apo edhe procesi ekonomik në vend varet nga situata politike e vendit. Fatkeqësisht në të dyja vendet, në Mal të Zi dhe në Kosovë, situata politike nuk është aq stabile, sidomos në vitet e fundit dhe nuk ofron një bazë të mirë për zhvillim ekonomik dhe stabilitet ekonomik që të gjithë do të donim ta kishim. Besoj se në një të ardhme të afërt situata politike mes vendeve tona do të jetë më e mirë dhe shpresoj se partnerët tanë nga Bashkimi Evropian apo ShBA, do të ofrojnë mbështetje në drejtim të stabilizimit të situatës politike në vendet tona, siç e përmenda, kjo do të ishte një shenjë shumë e mirë për të gjithë ne, për një epokë të re të zhvillimit ekonomik”, tha Vujoviq për KP.
Duke përmendur faktorët që ndikojnë në përmirësimin e ekonomisë, Vujoviq thotë se parakusht këtu është edhe infrastruktura. Ai potencon se BE ka një mundësi të madhe për të ndihmuar në financimin e projekteve të ndërlidhjes.
“Faktori tjetër që duhet të zhvillohet në të ardhmen janë parakushtet infrastrukturore për zhvillim ekonomik, në kuptimin e marrëdhënieve më të mira mes shteteve tona… Tregjet e reja patjetër do të jenë të rëndësishme. Në këtë drejtim, besoj se BE-ja ka një mundësi të madhe për të na ndihmuar në financimin e projekteve të ndërlidhjes, sepse ata e kanë bërë këtë në të kaluarën, kështu që nuk e kuptoj pse nuk ka në të ardhmen duke ofruar mundësi për të krijuar një lidhje më të mirë të infrastrukturës në vend, duke krijuar një parakusht më të mirë për zhvillimin”, th ai.
Nënkryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Nikola Vujoviq qëndroi në Prishtinë për të marrë pjesë në konferencën finale të projektit të Bashkimit Evropian (BE) për mbështetjen e Forumit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilën u theksua potenciali për zhvillimin ekonomik dhe përfshirja në strukturat evropiane sa më shpejtë të jetë e mundur.