Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është vënë në qendër të akuzave të rënda lidhur me pjesëmarrjen e tij në të ashtuquajturat “Safari i Snajperëve” gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1996), ku të huaj të pasur pretendohet të kenë paguar për të qëlluar mbi civilë. Pretendimet, të cilat Vuçiç i ka mohuar kategorikisht, janë bërë nga gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiç, i cili ka depozituar një ankesë pranë prokurorëve italianë, të cilët po hetojnë tashmë këtë fenomen makabër, shkruan “The Telegraph”.
Margetiç deklaron se ka dorëzuar prova, video e dokumente që sipas tij e vendosin Vuçiçin në një pozicion ushtarak në varrezat hebraike të Sarajevës në vitet 1992–1993, zonë e njohur si pikë snajperësh e forcave serbe. Ai përmend një video të vitit 1993 ku pretendon se Vuçiç shihet me një armë në dorë, diçka që mbështetësit e presidentit e kundërshtojnë duke thënë se objekti ishte një tripod kamere, ndërsa vetë Vuçiç ka thënë se ka qenë një çadër.
Në qendër të debatit publik është shfaqur edhe një tjetër video, ku një automjet i pajisur me një kafkë njeriu me helmetë të OKB-së shfaqet pranë Vuçiçit. Autoritetet serbe thonë se makina nuk ishte e tij dhe se mjete të tilla ishin të zakonshme në zonat e luftës.
Prokuroria e Milanos ka hapur hetime pas informacionit se italianë, rusë dhe amerikanë të pasur mund të kenë paguar për të marrë pjesë në “Safari i Snajperëve” të organizuara sipas hetimeve nga milicitë serbe nën urdhrat e Radovan Karaxhiçit. Një ish-diplomat italian, Michael Giffoni, ka pohuar se në vitin 1994 i ishte thënë se “safaritë” ishin realitet dhe se SISMI kishte ndërhyrë për të ndaluar ardhjen e italianëve, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, deri tani nuk ka prova të pakundërshtueshme që lidhin Vuçiçin drejtpërdrejt me këtë aktivitet mizor. Zëdhënësja e tij e ka quajtur çështjen “dezinformim të mirëfilltë” dhe politikisht të motivuar për të dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Serbisë.
Profesori Jasmin Mujanoviç thotë se ka dëshmi të shumta për ekzistencën e “Safarit të Snajperëve”, por nënvizon se “pretendimet e jashtëzakonshme kërkojnë prova të jashtëzakonshme”.
Hetimet ndërkombëtare pritet të vazhdojnë, ndërsa çështja mbetet një nga akuzat më tronditëse të dalë nga lufta e Bosnjës.




