Vettingu dhe Byroja për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, janë sërish pjesë e premtimeve zgjedhore, të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, përmbushja e këtyre dy premtimeve brenda një mandati qeveritar, po vlerësohet i vështirë.
“Edhe nëse kalon ky ligj në Gjykatën Kushtetuese, do të duhen vite që të formohet ai mekanizëm dhe mbase brenda këtij mandati është pak që të fillojë së funksionuari dhe të dërgojë lëndë në Gjykatë”, ka thënë Jashari.
Në kuadër të programit, janë edhe krijimi i dy institucioneve të reja.
Synim Vetëvendosje e ka edhe krjimin e një gjykate të re, asaj për çështje familjare.
Por edhe kjo po shihet me skepticizëm.
“Vetëm themelimi i institucioneve nuk do të thotë se zgjidhen problemet. Së pari duhet të kemi përkrahjen institucionale nga Qeveria e Kosovës. Të hapë sa më shumë konkurse për gjyqtarë, për bashkëpunëtorë profesionalë, t’ua plotësojë kushtet. Sot mos të them se në të gjitha lëndët, si në civile, si administrative e si komerciale mbahen nëpër zyre, se s’kanë salla. S’kanë tavolina, s’kanë karriga. Prandaj, fillimsht duhet të rritet buxheti, të investohet në profesionalizëm, e pastaj të themelohen edhe Gjykatat. Nuk ka të keqe të themelohet një gjykatë. Mirëpo, të themelohet një Gjykatë pa kushte, atëherë do të ketë më shumë dëm sesa rezultate”, u shpreh Shala.
Fillimisht kërkohet një plan konkret, e jo të eksperimentohet me iniciativa që prekin qytetarët që kërkojnë drejtësi.
“Nuk guxojmë të eksperimentojmë me institucione të reja pa e pasë një plan të detajuar, pa e ditur se ku do të arrijmë, qëllimin e saktë. Mendoj se edhe ashtu kështu, rastet e ndërlidhuara me familje, sikurse janë shkurorëzimet apo divorcet, çështja e dhunës në familje në penale, ose çështje të lidhen me shqyrtimin e urdhrave mbrojtës janë trajtuar deri më tani kogja në mënyrë urgjente”, ka thënë tutje Jashari.
Përpos Gjykatës, si synim është caktuar edhe themelimi i një prokurorie të re për hetimin e krimit të organizuar e korrupsionit.



