Agim Pllashniku, personi që u përfshi ditë më parë në një konfrontim verbal me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka dorëzuar sot një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore kundër saj.
Ai pretendon se gjatë incidentit, që ndodhi në një lokal, Pacolli dhe asistenti i saj kanë ushtruar dhunë ndaj tij.
Pllashniku përpara se ta dorëzonte kallëzimin penal, para gazetarëve tha se Fitore Pacolli ka kërcënuar dhe ushtuar presion ndaj familjes së Pllashnikut, veçanërisht ndaj gruas dhe vajzës së tij.
Siç tha ai, gruaja e tij ka presion që të largohet nga puna.
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashnikui bëri thirrje deputetes Pacolli, që siç u shpreh ai mos të merret me familjen e tij.
“Unë dhunë s’kam përdorur ndaj Fitore Pacollit, i kam dokumentet. Por, Fitore Pacolli ka përdorur dhunë ndaj meje dhe asistenti i Fitore Pacollit. Fitore Pacolli po merret me familjen time. Me gruan time dhe me vajzën. Po bën apel që ta largojë gruan time nga puna dhe po ka presion. Edhe unë po kam presion në punë. E ka kot. Mos vepro kështu Fitore Pacolli se unë nuk po merren me familjen e Fitore Pacollit. Po të merresha unë me familjen e Fitore Pacollit, ajo e din ku i punon motra dhe e kanë kapur shtetin. Jo që e kanë kapur shtetin, por duan ta kapin edhe popullin. Kjo është shumë keq…Nuk do të merrem me familjen e Fitores. I lutem që ta ndërpresë këtë presion që po e përdor ndaj familjes sime”, tha Pllashniku.
Ndërkaq, avokati i Pllashnikut, Gent Gjini tha se kanë fakte dhe prova se deputetja Fitore Pacolli ka sulmuar palën tjetër.
Sipas Gjinit, Pacolli është dashur të ndalohet në polici për deklarim të rrejshëm se Pllashniku ka pasur revole me vete gjatë incidentit.
“Sot në Prokurorinë Themelore në Prishtinë po dorëzojmë kallëzimin penal ndaj zonjës Fitore Pacolli, deputete nga radhës së partisë Vetëvendosjes. Këtë kallëzim penal e kemi të mbuluar me fakte dhe prova sepse, është këtu pala e dëmtuar ku qytetari është parë në video sesi është sulmuar nga zonja fitore Pacolli dhe asistenti i tij…(Pacolli) ka aluduar dhe ka mbështetur se i njëjti mbanë në çantën e tij revole. Kur zonja fitore është intervistuar në polici ajo aty është dashur të ndalohet sepse ka bërë deklarim të rrejshëm, sepse është kontrolluar zotri Agim Pllashniku dhe nuk ka pasur armë. Ajo ka njollosur familjen e (Pllashniku) dhe familja ka marrë kërcënime në orët e vona”, tha Gjini.
Në videot që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dëgjohet se Pllashniku i është drejtuar Pacollit me fjalët ‘hajneshë’, teksa tone të larta ndaj tij ka përdorur edhe Pacolli.
Ndërkaq, më 26 korrik policia në raportin 24-orësh ka bërë të ditur se ka hapur rast të kanosjes për Pllashnikun.
Ai pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.