Dënimin e shqiptuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), avokatët e kanë vlerësuar si një zhvillim me pasoja të mëdha për Kosovën.
Duke folur në emisionin “Ditari” në Tëvë1, avokati Emrush Thaçi ka kritikuar mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se gjatë procesit gjashtëvjeçar gjykata, sipas tij, mori një konotacion politik.
“Duke ndjekur në aspektin kronologjik seancat e Gjykatës Speciale për gjashtë vite, pamë se kjo gjykatë, e cila u formua nga Kuvendi i Kosovës, mori një konotacion politik dhe më së paku ishte Gjykatë Speciale e Kosovës, pasi që në njëfarë forme apo tjetër në asnjë mënyrë nuk i kanë përfillur ligjet e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.
Ai e ka cilësuar dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së si një goditje të madhe për Kosovën, duke argumentuar se ata ishin udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare.
“Dënimi i katërshes së UÇK-së për shtetin e Kosovës është një dënim shumë i madh, se u dënuan katër udhëheqësit kryesorë të Republikës së Kosovës të luftës çlirimtare të Kosovës. Normalisht, këtu u dënua edhe shteti i Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, vendimi mund të ketë pasoja edhe në ditët në vijim.
Ai ka paralajmëruar mundësinë që në të ardhmen të ketë edhe raste të tjera ndaj figurave të UÇK-së, duke iu referuar emrave të përmendur gjatë aktgjykimit.
Ndërkaq, avokati Emrush Kastrati është shprehur i brengosur për rezultatin e procesit, por ka theksuar se vendimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar.
“Jam shumë i brengosur për këtë rezultat të gjykatës. Nuk kam besuar asnjëherë që do të vijë kjo situatë dhe të shpallen fajtorë ish-krerët e UÇK-së për këtë që Gjykata e shkallës së parë vendosi sot”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka bërë thirrje që të ndiqen rrugët ligjore dhe të ruhet qetësia, duke theksuar se procesi ende nuk ka përfunduar.
“Pavarësisht kësaj, ne duhet t’i ndjekim rrugët ligjore dhe të kemi kujdes në përgjithësi në këtë drejtim, sepse i kuptoj edhe emocionet e familjes edhe të njerëzve, por nuk është vendim përfundimtar”, ka thënë Kastrati.
Ai ka shtuar se, ndonëse pritej që ish-krerët e UÇK-së të ktheheshin në Kosovë pas përfundimit të seancës së sotme, kjo nuk ndodhi, por sipas tij, shpresa për drejtësi duhet të vazhdojë përmes rrugëve ligjore.
Ndryshe, mbi 41 muaj pas nisjes së procesit gjyqësor, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, më 16 shtator i shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Ata u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim.
Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.
Në anën tjetër, të katërt u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.
Të pafajshëm u shpallën edhe për një numër incidentesh specifike që ishin listuar në aktakuzë, brenda akuzave për krime lufte./teve1.info/




