Një nga kërcënimet e vazhdueshme të shtetit serb ishte vendosja e bazave ushtarake në kufi me Kosovën.
Së fundmi për këtë alarmoi edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i cili publikoi një hartë për pozicionet e këtyre bazave.
Por nga KFOR-i në një përgjigje për Tëvë1, kanë thënë se nuk kanë zbuluar dhe nuk janë informuar në lidhje me ndryshime të rëndësishme për praninë e forcave serbe në vijën kufitare.
“Bazuar në procedurat ekzistuese, forcat e armatosura serbe duhet të mbajnë rregullisht KFOR të informuar në lidhje me vendosjen e forcave dhe aktivitetet e tyre operacionale në afërsi të linjës kufitare administrative. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe të llogaritet në bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në këtë drejtim. Komandanti i KFOR ka komunikime të rregullta me autoritetet ushtarake në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit të situatës së ndërsjellë”, thuhet nga KFOR-i.
Një nga ish-drejtorët e Policisë, po i sheh këto deklarime si jo serioze pasi që thotë se bëhen për të larguar vëmendjen.
“Sa herë ka skandale të hajnisë së dukshme, sa herë në televizione tona publikohen dhe dokumentohen skandalet sikurse ky në Ministrinë e Bujqësisë, mendoj që del një ministër apo një deputet e jep një deklaratë që ka të bëjë me veriun apo me kufirin e Kosovës dhe ju e patë që vetëm disa orë pasi që u publikua dhe dokumentua në televizionet tona çështja e këtyre mbetjeve shtazore dhe keqpërdorimeve të skajshme, menjëherë doli ministri i Mbrojtjes”, vlerëson Rashit Qalaj.
Sipas tij, veprime të tilla janë të vazhdueshme, derisa pati një kërkesë për lidershipin aktual.
“Ajo nuk është një informatë e re, ne e dijmë se Serbia ka shumë baza përreth tërë kufirit me Kosovën, mirëpo i tillë është ish-pushteti tek ne i cili tenton që ta tërheqë vëmendjen nga vetvetja, nga keqpërdorimet, nga hajnia dhe të krijojë situatë të tensionuar sa i përket situatës së sigurisë… Rreziku është nga keqpërdorimet, rreziku është nga hajnitë, rreziku është nga veprimet joligjore të ish-pushtetit, ndërsa janë institucionet tona ato të cilat kujdesen për sigurinë e vendit”, thotë ish-drejtori i PK-së
Mendim të njëjtë ndan edhe nënkoloneli në pension, Refki Morina i cili thotë se ani pse janë në afërsi të kufirit, ato gjenden në territorin e Serbisë.
“Ajo çfarë është me rëndësi, është që duhet të jemi vigjilent sidomos KFOR bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, me EULEX-in etj., për arsye se janë segmenti i parë në rast të konflikteve të mundshme edhe pse një mundësi të tillë nuk e shoh të arsyeshme, nuk do të ndodhë një luftë frontale, mund të ketë grupe të tilla ose luftë speciale hibride sikur rasti me studentët, nxënësit që me një mënyrë ose tjetër mundohet ta destabilizojë pjesën veriore të Kosovës por edhe në tërësi Kosovën”, thotë Morina.
Po ashtu, nga Misioni i NATO-s në Kosovë u bë e ditur se nga 2023-ta kanë shtuar praninë dhe numrin e patrullave në vijën kufitare.