Një takim konsultativ i bëri bashkë këtë të enjte përfaqësues të sindikatave e odave ekonomike me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Kjo me ftesë të këtij të fundit.
E aty, temë diskutimi ishte paga minimale.
Se si shkoi i gjithë takimi treguan nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat.
Përfaqësuesi i kësaj Sindikate, Jusuf Azemi bëri të ditur se propozimi i tyre ishte që paga minimale, deri në vitin 2026 të jetë 600 euro.
Megjithatë, sipas tij, nga Qeveria është parë se vlerësojnë që kjo pagë të jetë 500 euro.
“Ka qenë një takim i butë, dy kërkesat që ia kam bërë unë decidivisht ka qenë, e kam pyetur se si mendon ti për pagën minimale, dhe a qëndron vendimi i kryeministrit para deputetëve dhe cila do të ishte data nëse shkon gjithçka mirë. Ai ka thënë po se qëndron pranë asaj që paga minimale të jetë 500 euro dhe qëndron që implikimi të bëhet me 1 janar 2026”, u shpreh Azemi.
Për këtë takim, në llogarinë e tij në Facebook, shkroi edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, por ai nuk përmendi asnjë shifër.
“Nga ky takim, dëgjova propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e poashtu dëgjova edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bëjnë me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar. Paga minimale është instrument tejet i rëndësishëm që përcakton minimumin e pagesës së një ore pune, dhe ka për synim mbrojtjen e punëtorëve nga praktikat jo të mira”, u shpreh Murati.
E nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, përfaqësuesit e të cilës ishin në këtë takim, kanë kërkuar një analizë të thelluar para se të merret vendimi për rritjen e pagës.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë vlerëson se vendimi final për nivelin e pagës minimale duhet të merret vetëm atëherë kur Kosova të ketë institucione funksionale dhe fuqiplota, të bëhet një analizë e thelluar e gjendjes ekonomike, dhe propozimi për pagën minimale të vijë përmes Këshillit Ekonomiko-Social, e jo përmes Ministrisë së Financave. Dhoma propozon që paga minimale të përcaktohet në formë të përshkallëzuar, duke ndryshuar sipas nivelit të arsimit, përvojës, moshës apo sektorit të punës – praktikë e ndjekur në shumë vende evropiane”, thuhet nga ta.
Në gusht të vitit 2024, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që paga minimale në Kosovë të bëhej 350 euro.
 
			





