Është kjo kisha katolike e “ Shën Ndout” në Gllogjan të Pejës.
Por, kambanave të saj në vitin 1999, dikush iu ra për një qëllim krejt tjetër.
Ishte ky Don Kelmendi Spaqi, i cili përmes këtij veprimi i njoftoi myslimanët për kohën e iftarit.
E të enjten u bë e ditur, se famullitari Spaqi, ka ndërruar jetë në moshën 63 vjeçare.
Në ditën e vdekjes së tij, tek kisha ku shërbeu Spaqi në Gllogjan, nuk u panë shumë lëvizje.
Ndërsa ata që e njohën nga afër, kujtojnë ditën kur forcat serbe e kërcënuan Don Kelmend Spaqin për veprimet e tij.
“Zotnia Don Kelmend Spaqi në njërën prej ofensivave ka qëlluar edhe koha e ramazanit, ai ka dhënë alarm me kambanë të kishës se kur është koha e syfyrit dhe kur ajo e iftarit. Që me këtë i ra na sy edhe vet serbeve edhe i kanë tërhequr vërejtjen se çka bënë t’i kështu. Ai thotë unë i bij kambanës kur e kemi kohën, a në të vërtetë shqiptarëve vëllezërve tonë mysliman ju ka dhanë shenjë që kur bie kambana është syfyri apo iftari që me ditë ata se s’ka pasur në atë kohë thirrje të ezanit”, tregon Marsh Ademi-qytetar.
E në një rast tjetër, Don Spaqi, i doli vet përballë ofensivës serbe.
Këtyre të fundit iu tha se duhet të kalojnë mbi të, para se t’i prekin vëllezërit shqiptarë të besimit islam, të cilët i kishte strehuar në kishë.
“Prifti gjithnjë ju ka dal ofensiva serbe përpara u ka dal e ju ka thanë së pari keni punë me mu e pastaj me popull. Ju ka thanë që po që se e keni atë qëllim më vritni mu e motrat e nderit atëherë nuk kam çfarë të bëjë e mund të i vrisni edhe popullatën kështu që ofensivat kanë kaluar nëpër fshat këtu”, shprehet Ademi.
Përveç veprave në luftë, Spaqi njihet edhe për tolerancën fetare që e kultivoi në këtë fshat të Pejës.
“Bashkësia jonë e Gllogjanit jemi të përzier katolikë edhe myslimanë. Të gjithë jemi bashkuar bashkë të mirën e të keqën e kemi ndarë”, thotw Marsh Ademi.
Varrimi i Don Kelmend Spaqit, do të bëhet të enjten në ora 11:00 në Velezhë të Prizrenit.






