Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj ka përfunduar kursi i avancuar për snajper, për gjeneratën e dytë të këtij viti.
Siç thuhet në njoftim, kursi kishte për qëllim avancimin e aftësive profesionale të pjesëtarëve në fushën e qitjes me snajper, si dhe zhvillimin e shkathtësive për vëzhgim dhe mbledhje të informacioneve në zona me rrezikshmëri të lartë.
“Trajnimi është realizuar nga instruktorët e Qendrës së Stërvitjes Profesionale në KDS, përmes aktiviteteve teorike dhe praktike, të zhvilluara në ambientet e kësaj komande dhe në Poligonin Ushtarak në Babaj të Bokës, në Gjakovë”, thuhet në njoftim.
Gjatë kursit, pjesëmarrësit kanë zhvilluar aftësitë profesionale në qitje në distanca të gjata, si dhe janë trajnuar në përdorimin e sistemeve të ndryshme të armëve dhe kalibrave përkatës.
Përmes këtij trajnimi, FSK-ja vazhdon investimet në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e përgatitjes ushtarake të pjesëtarëve të saj, me synim përmbushjen e misionit dhe detyrave të përcaktuara./teve1.info/








