Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se komisioni për verifikimin e përmbajtjes së pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë, i themeluar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, ka vlerësuar se lëshimet teknike që mund të kenë ndodhur nuk e cenojnë kretibilitetin e procesit të pranimit të kandidatëve.
Në një komunikatë për media nga UP kanë thënë se Komisioni i përbërë nga profesorët Bashkim Thaçi e Arlinda Bytyqi-Damoni, ekspertë për lëndën e Kimisë dhe profesori Bekim Gashi, ekspert për lëndën e Biologjisë, konstatuan njëzëri se ndonjë lëshim teknik që mund të ketë ndodhur në testin e Kimisë në asnjë mënyrë nuk e cenon kredibilitetin e procesit të testimit të kandidatëve për pranim në Fakultetin e Mjekësisë.
“Komisioni, për më shumë, konstatoi njëzëri se:Për të gjithë nxënësit me përgatitje mesatare lëshimet teknike në test [të kimisë] konsiderohen që nuk kanë ndikim në zgjidhjen e detyrave dhe si rezultat në përzgjedhjen e alternativës së saktë. Komisioni i pavarur dhe i përbërë nga anëtarët që nuk morën pjesë as në përgatitjen e pyetjeve për provimin pranues, e as në Komisionin për ankesa, pas shqyrtimit të të gjitha pretendimeve për lëshime, po ashtu, erdhi në përfundim se në testin e Biologjisë nuk është bërë ndonjë lëshim i natyrës teknike apo përmbajtjesore. Universiteti i Prishtinës i siguron të gjithë të testuarit dhe qytetarët e Kosovës se në të gjitha rastet e proceset dhe pa asnjë dallim, do të veprojë me transparencë, ligjshmëri e meritokraci”, thuhet nga UP.
Disa kanidatë për pranim në Fakultetin e Mjekësisë kanë protestuar me pretendimet se ka pasur lëshime në këtë test.