Për një kohë të pacaktuar, Universiteti i Prishtinës ka pezulluar nga puna si profesor, Xhevat Krasniqin. Me rekomandimin e Këshillit të Etikës, Krasniqi do të jetë i pezulluar deri të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit. Me këtë vendim të UP-së nuk po pajtohen prapë Lëvizja Feministe Studentore, duke thënë se ky vendim e shkel rregulloren e universitetit.
Të martën, dera e zyrës së tij u bllokua me shirita.
E punën brenda saj dhe në fakultetin e Edukimit nuk do të zhvilloj as edhe për gjashtë muaj.
Kjo pasi Universiteti i Prishtinës ka vendosur për pezullimin e tij nga puna.
Fjala është për profesorin universitar Xhevat Krasniqi.
E rekomandimin për suspendimin e tij e ka bërë Këshilli i Etikës së UP-së, pasi i njëjti është denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.
Mirëpo pezullimi i tij vjen derisa të përfundojë veprimet hetuese Prokuroria e Shtetit.
E para këtij vendimi, nga Krasniqi ishte kërkuar që të anulojë edhe ligjëratat brenda Fakultetit të Edukimit.
“Duke parë zgjatjen e marrjes së vendimit nga Këshilli i Etikës për rastin (gjë për të cilin shprehim edhe njëherë pakënaqësi), dhe pas shprehjes së shqetësimit nga ana e studentëve tanë për prani të policisë në fakultet/sallë mësimi në ditën e protestës së datës 18 prill, si Dekan kam vendosur, dhe njoftuar Rektorin paraprakisht, që të kërkoj nga profesor Krasniqi të mos paraqitet në vendin e punës deri më datën 28 prill 2024 që do të na jepte kohë që të kryejmë diskutimet tona fakultet – rektorat për çështjen e mbarëvajtjes së mësimit”, tha dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi.
E në lidhje me vendimin e UP-së ndaj Krasniqit, nuk po pajtohet Lëvizja Feministe Studentore.
Sipas tyre, ky vendim e shkel rregulloren e universitetit, përkatësisht atë për ngacmime seksuale.
Para këtij vendimi, Lëvizja Feministe Studentore bashkë me një pjesë të studentëve të Universitetit të Prishtinës kanë mbajtur disa protesta për largimin nga puna Xhevat Krasniqit.