UEFA ka shkruar për ndeshjet gjysmëfinale të plejofit evropian të kualifikimeve për Kupën e Botës në futboll.
Janë 16 përfaqësuese evropiane që garojnë për katër bileta për Botërorin që mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë në verë. Janë katër “rrugë” me nga katër përfaqësuese, që e japin nga një ekip të Botërorit.
Në rrugën C është edhe Kosova, që të enjten në gjysmëfinale përballet me Sllovakinë, nga ora 20:45 në Bratislavë. Gjysmëfinalja tjetër në “C” është mes Turqisë dhe Rumanisë, ndërsa zhvillohet nga ora 18:00 në Stamboll. Ekipet përfaqësuese që fitojnë gjysmëfinalet përballen në Prishtinë apo Bratislavë, më 31 mars, në finale të plejofit. Fituesi i finales shkon në Botëror.
Luajnë edhe humbësit e gjysmëfinaleve, sërish në Bratislavë apo Prishtinë, por ndeshja e humbësve të gjysmëfinaleve ka karakter miqësor.
Faqja zyrtare e UEFA-s, përkatësisht Konfederatës Evropiane të Futbollit, ka bërë një prezantim të shkurtër të të gjitha ndeshjeve.
“Synimi i Kosovës është kualifikimi i parë në një ngjarje të madhe dhe selektori gjerman i saj, Franco Foda, trimërohet nga seria prej pesë ndeshjeve pa humbje, tri fitore e dy barazime”, ka shkruar UEFA.
Për Sllovakinë, sipas UEFA-s, është e rëndësishme që ta ketë ekipin e gatshëm për lojë, pas telasheve me lëndime.
Serinë prej pesë ndeshjeve pa humbje, Kosova e realizoi në kualifikimet e rregullta për Botëror. Pas humbjes së thellë nga Zvicra në ndeshjen e parë, në vjeshtë Kosova kishte dy fitore me Suedinë, një barazim dhe një fitore me Slloveninë dhe një barazim me Zvicrën. Falë këtyre rezultateve e siguroi plejofin.
Për herë të parë në plejof për kualifikim në Botëror është edhe Shqipëria.
Kuqezinjtë të enjten mbrëma në Varshavë luajnë ndaj Polonisë. Ukraina – Suedia është gjysmëfinalja tjetër e “rrugës B”. Ukraina dhe Suedia, si fituese e humbëse, do të jenë nikoqire në ndeshjet e 31 marsit. Ukraina, për shkak se po përballet me pushtimin rus, si vendase luan në Valencia të Spanjës.
Shqipëria e Polonia janë takuar shpesh së fundmi. Në kualifikimet për Euro 2024, ku Shqipëria mori pjesë, ndeshja në Tiranë kishte përfunduar 2:0 për kuqezinjtë, kurse ajo në Varshavë u mbyll 1:0 për polakët.
Historia e favorizon Poloninë, që ka dhjetë fitore ndaj Shqipërisë, tri barazime e dy humbje. Por Shqipëria udhëton me shpresa të mëdha.
Në “rrugën A” ndeshjet gjysmëfinale janë Itali – Irlandë e Veriut dhe Uells – Bosnjë-Hercegovinë.
Ndërkohë Maqedoninë e Veriut e pret gjysmëfinale shumë e vështirë ndaj Danimarkës, në kuadër të “rrugës D”. Gjysmëfinalja tjetër është mes Çekisë dhe Irlandës.
Te Maqedonia e Veriut është një grup goxha i madh i futbollistëve shqiptarë.
Gjysmëfinalet e plejofit
E enjte
“A”
Italia – Irlanda e Veriut (20:45, Bergamo)
Uellsi – Bosnjë-Hercegovina (20:45, Cardiff)
“B”
Ukraina – Suedia (20:45, Valencia, Spanjë)
Polonia – Shqipëria (20:45, Varshavë)
“C”
Turqia – Rumania (18:00, Stamboll)
Sllovakia – Kosova (20:45, Bratislavë)
“D”
Danimarka – Maqedonia e Veriut (20:45, Kopenhagë)
Çekia – Irlanda (20:45, Pragë)










