Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, gjatë takimit të mbajtur me të gjithë prokurorët e shtetit të kësaj prokurorie ka kërkuar nga prokurorët shtimin e përkushtimit dhe vigjilencës në trajtimin e rasteve, veçanërisht gjatë kujdestarive.
Gjatë një takimi me prokurorët e kësaj prokurorie, Disha-Haxhosaj ka theksuar rëndësinë e reagimit me kohë dhe trajtimit profesional të secilit rast.
“Gjatë takimit, u.d. e Kryeprokurores Disha-Haxhosaj ka kërkuar nga prokurorët që të shtojnë përkushtimin dhe vigjilencën në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve gjatë kujdestarive, duke siguruar reagim me kohë dhe trajtim profesional të secilit rast.”,thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ajo poashtu ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për prokurorët në ushtrimin e detyrave të tyre.
Ndërkaq, në kuadër të organizimit të brendshëm, prokurori Ermal Demhasaj është caktuar koordinator i rasteve të dhunës në familje, për një periudhë të pacaktuar.
Disha-Haxhosaj ka zhvilluar takim edhe me stafin administrativ, nga i cili ka kërkuar angazhim më të madh dhe respektim të përgjegjësive ligjore e profesionale./teve1.info/







