Skuadra e Trepçës ka pasur short të lehtë në kuadër të kualifikimeve për FIBA Europe Cup. Shorti është tërhequr të martën në Mynih të Gjermanisë, ndërsa Trepça në vazon e dytë dhe është përcaktuar që të jetë pjesë e Grupit C në kuadër të turneut kualifikues.
Pjesë e këtij grupi janë edhe Parnu i Estonisë dhe Tindastolli i Islandës. Nëse Trepça i mposht të dyja këto skuadra dhe përfundon e para në grup, atëherë do të kualifikohet për fazën e grupeve të FIBA Europe Cup për edicionin 2023/24.
Duelet e turneut parakualifikues të këtij grupi, do të zhvillohen në Estoni prej datës 2 deri më 5 tetor. Për Trepçën është hera e dytë rresht që paraqitet në këto kualifikime të kësaj gare. Edicionin e shkuar, Trepça e organizoi turneun parakualifikues në Mitrovicë por u eliminua në ndeshjen e parë çerekfinale nga Gottingeni i Gjermanisë.