Sistemi gjyqësor i Kosovës gjatë vitit 2025, ka shënuar përparime në aspektin e transparencës dhe hartimit të dokumenteve që e mbështesin funksionimin e tij. Megjithatë, të njëjtën rrugë nuk e ndoqi Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili aktualisht ndodhet në fazën e një reforme të parashikuar me Ligjin për Këshillin Prokurorial, ligj që hyri në fuqi gjatë vitit të kaluar.
Kështu po vlerësojnë monitorues e njohës të sistemit të drejtësisë në vend, të cilët potencojnë se udhëheqja e pozitës së kryeprokurorit të shtetit me ushtrues detyre dhe sulmet publike karshi këtyre dy institucioneve që ndodhën edhe gjatë vitit të kaluar, e kanë goditur rëndë sistemin e drejtësisë.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se sistemi prokurorial po pëson dëm si pasojë e asaj që pozita e kryeprokurorit të shtetit vazhdon të jetë me ushtrues detyre nga viti 2022.
“Ajo është një, është një proces që, dhe ose një precedent që rrallë e hasni në institucionet e drejtësisë kudo në glob. Nga viti 2022 jemi pa kryeprokuror, që për bindjen time ka shkaktuar dëm të parikuperueshëm në sistemin e ndjekjes së shtetit, në sistemin prokurorial, po edhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Ani pse ata arsyetohen se jo, ushtruesi i detyrës i ka të njëjtat juridiksione, po ndryshe është kur e ke kryeprokurorin…. sistemit të drejtësisë i ka pasur probleme të shumta, përkundër, punëve të mëdha që janë bërë në sistem, edhe në sistemin prokurorial, edhe në sistemin gjyqësor. Mirëpo, sulmet e shpeshta që kanë ndodhur karshi sistemit të drejtësisë, qoftë prokurorial, gjyqësor, pastaj Gjykatës Kushtetuese, mos-emërimi i kryeprokurorit, unë këtë e vlerësoj si një goditje e rëndë e sistemit të drejtësisë dhe tendencë e hapur për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë”, theksoi Hasani.
Ndërsa, hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashi thotë se sistemit gjyqësor ka avancuar në kuptim të transparencës, por për dallim nga Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial ka qenë i mbyllur.
“Sistemi gjyqësor ka pasur avancim në kuptimin e transparencës. Sistemi gjyqësor ka pasur përmirësim në kuptimin e hartimit të dokumenteve që e zhvillojnë këtë sistem. Në anën tjetër, në sistemin prokurorial kemi pasur dhe po e shohim tash edhe së fundmi një tendencë për vazhdim të korporatizmit, një tendencë për vazhdim të qasjes korporatiste që një grup i caktuar t’i shërbejnë individëve për interesa personale. Pra, janë këto çështje dhe kjo është situata që ka ndodhur brenda dy sistemeve. Në anën tjetër, te Këshilli Gjyqësor i Kosovës e keni një ftesë standarde për monitorim të procesit, prej procesit të pozitës më të ulët qysh është referenti deri tek ajo më e larta. Në anën tjetër e keni Këshillin Prokurorial që duhet të dërgoni njoftim që dëshirojmë të monitorojmë një proces. Por kjo është situata midis këtyre dy këshillave dhe ky zhvillim apo ngecje që kanë ndodhur midis këtyre këshillave gjatë vitit 2024”, tha ai.
Duke theksuar se gjatë vitit 2025 janë ngritur disa aktakuza për korrupsion, Kabashi konsideron se ato aktakuza duhet të kenë karakter hetimor penal dhe jo administrativ.
“Aktakuzat të mos jenë të karakterit hetimit administrativ, por të jenë të një karakteri të hetimit penal në administrimin me prodhimin e masave, me zbatimin e masave të ndryshme që i njeh Kodi i Procedurës, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, legjislacioni ynë në fuqi. Sepse, nga përshtypjet që jep leximi i aktakuzave, më shumë i ngjajnë një karakteri administrativ sesa ndoshta një karakteri penal….Probleme me politikën ndëshkimore brenda për brenda vendimeve gjyqësore kemi parë dhe vazhdimisht çdo ditë hasim. Pra, politika ndëshkimore që është e rregulluar edhe përmes një udhëzuesi të Gjykatës Supreme nuk gjen jetësim në vendimet gjyqësore. E kjo duhet të gjejë jetësim, thjesht standardi i dënimeve të jetë asisoj që personit t’i arrihet preventiva që i njëjti mos ta përsërisë veprën në të ardhmen, por edhe për shoqërinë që të mos përsëriten veprat”, theksoi ai.
Zhvillimet pozitive në sistemin gjyqësor drejtë transparencës i nënvizon edhe drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli-Nimani.
Sipas saj, reforma në sistemin prokurorial nuk duhet të pengohet, pasi çdo tentim për pengim në këtë drejtim do të dështojë.
“KGjK viteve të fundit ka ecur me hapa më të shpejt është bërë shumë më transparentë, llogaridhënës në çdo hartim të politikave dhe rregulloreve kërkohet edhe impute i shoqërisë civile në hartimin e këtyre dokumenteve ftohemi të monitorojmë çdo proces të rekrutimit qoftë për gjyqtar apo pjesëtarë të administratës. Është shumë i hapur në përgjithësi në krahasim me KPK e kuptojmë edhe natyrën e Prokurorisë që duhet disa gjëra t’i ketë konfidenciale, për shkak të hetimeve që zhvillojnë, por nuk duhet të jetë i mbyllur hermetikisht… 02’16 Është një reformë në proces e cila duhet të vazhdoj, nuk ka kthim prapa pavarësisht a iu pëlqen apo jo disa personave brenda KPK reformat duhet të ndodhin, mos të harrojmë shumica nga anëtarët nga janari nuk do të jenë pjesë e KPK, andaj edhe çdo tentim për ndërhyrje në reformë konsideroj se do të jetë i dështuar nga ajo pjesë e cila do të jetë pa mandat”, thotë ajo.
Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës si sfidë kryesore e konsiderojnë reformën nëpër të cilën po kalojnë, si dhe mungesën e prokurorëve.
Visar Krasniqi, anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës nga shoqëria civile, për KosovaPress, thotë se ndryshimet ligjore nuk janë pranuar lehtë nga këshilli, duke sjellë probleme në funksionimin e komisioneve dhe trupave të tjera.
Por, ai shton se problematike gjatë vitit 2025 ka qenë dhe çështja e buxhetit dhe mungesa e prokurorëve.
“Sfida kryesore është shfaqur kjo çështja e reformës, e thashë e kam thënë, në qershor kur ka filluar hyrja në fuqi e ligjit të ri, do të thotë kanë filluar këto sfidat. Nuk është pranuar lehtë le të bëhem realist, nuk është pranuar lehtë në Këshill ndryshimet e reja ligjore ndonëse kanë qenë të pritshme sepse me vite janë diskutuar. Këto kanë qenë problematika të vazhdueshme dhe si rrjedhojë këto kanë sjellë mandej edhe çështje të tjera problematike, qoftë në përbërjen e komisioneve, qoftë në trupa të tjerë që i ka formuar Këshilli….rrjedhimisht vazhdon me qenë problem çështja e buxhetit. Këshilli ka nevojë për prokurorë të rinj, ka nevojë për kapacitete të reja, qoftë në kuptim të prokurorëve të rinj, qoftë të stafit administrativ, bashkëpunëtorëve profesionalë. Krejt këto janë sfida që po përballemi për çdo ditë”, tha ai.
KosovaPress ka kërkuar një përgjigje edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Edhe gjatë vitit 2025 raporti i Monitorimit të Drejtësisë 2025 i publikuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka vu në pah se drejtësia kosovare vazhdon të sfidohet nga rastet e profilit të lartë, të cilat kanë ngecur për vite të tëra dhe disa nuk kanë arritur në fazën e aktgjykimeve edhe një dekadë pas kryerjes së veprave. Po ky raport ka ngritur si shqetësim mosaplikimin e dënimeve plotësuese, si dhe shqiptimi në numër të madh i masës së paraburgimit.
Kujtojmë që në fundin e vitit të kaluar Këshilli Prokurorial i Kosovës e shkarkoi Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar. Kelmendi në një konferencën për medie i kishte mohuar të gjitha pretendimet.
Më pas, Kelmendi u ankua në Gjykatën Supreme e cila më pas më 16 dhjetor 2025 e ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit nga detyra e ushtruesit të detyrës së kryeprokuror të shtetit, duke thënë se shkarkimi i tij ishte i kundërligjshëm.
Ndërsa, aktualisht ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të shtetit është Agron Qalaj.







