Ndërmarrja Publike Komunale Trafiku Urban ka dalë me një sqarim për qytetarët lidhur me ndërprerjen e qarkullimit të autobusëve në të gjitha linjat e Prishtinës, duke theksuar se kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së pagave dhe karburanteve.
Sipas njoftimit, shërbimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat do të mundësojnë shlyerjen e obligimeve financiare të Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes.
“Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025. Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes”, thuhet në komunikatën e ndërmarrjes.
Në fund, Trafiku Urban ka sqaruar se, edhe pse ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e detyrimeve kanë krijuar një situatë të paqëndrueshme për ofrimin e shërbimit publik.
Ky reagim ka ardhur pas njoftimit që bëri kryetari i Prishtinës, Përparim Rama se nga nesër nuk do të ketë transport publik në kryeqytet.




