Themelimi i Ministrisë së Turizmit në Kosovë është nevojë e domosdoshme për zhvillimin e kësaj industrie, vlerësojnë përfaqësues të sektorit të turizmit në Kosovë.
Ata thonë se turizmi është njëra ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së një vendi dhe njëkohësisht faktor i rëndësishëm i punësimit, ndaj duhet të ketë një institucion të veçantë që merret me zhvillimi e tij.
Ndryshe nga vendet e rajonit, turizmi në Kosovë trajtohet si një sektor brenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një departamenti që, sipas profesionistëve të fushës, është i pamjaftueshëm për të adresuar sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron kjo industri.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, MINT tregon se në Departamentin e Turizmit janë të angazhuar katër punonjës, ndonëse në rregullore parashihen të jenë nëntë.
Udhëheqës të organizatave të turizmit theksojnë se krerët e shtetit të Kosovës, përfshirë presidenten, kryeministrin dhe ministrat, nuk po i japin mjaftueshëm prioritet promovimit të destinacioneve dhe vlerave turistike të vendit.
Ata kërkojnë që institucionet më të larta të angazhohen më shumë në këtë drejtim, duke përdorur çdo mundësi për të promovuar turizmin dhe atraksionet që Kosova ofron.
Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti thotë se tash e sa kohë kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të themelohet Ministria e Turizmit.
Hoti potencon se angazhimi i Departamentit i Turizmit në kuadër të MINT-it, është i pamjaftueshëm për nevojat dhe kërkesat të cilat i ka industria e turizmit.
“Unioni i Turizmit të Kosovës ka kohë që ka diskutuar dhe ka bërë kërkesa tek institucionet e Republikës së Kosovës, që Kosova të ketë një Ministri të Turizmit…I vetmi institucion që është në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është Departamenti i Turizmit të Kosovës, çka mendojmë që është i pamjaftueshëm për nevojat dhe kërkesat të cilat i ka industria e turizmit…Duke parë shtetet e rajonit ose të Evropës se çfarë janë duke bërë për turizmin ose sa i kanë dhënë prioritet turizmit, mendoj që kjo do të ishte e domosdoshme që Kosova ta ketë një Ministri të Turizmit, e cila besoj që do të jetë një veprim shumë i qëlluar dhe do të jep një kontribut të jashtëzakonshëm. Duke ditur se turizmi është njëra ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së një vendi por njëkohësisht është edhe një faktor shumë i rëndësishëm edhe i punësimit. Ne çdo turist e konsiderojmë në zhargonin ekonomik si para direkte. Të gjitha shtetet janë duke luftuar që të marrin sa më shumë turistë, andaj edhe Kosova duhet ta bëjë këtë”, potencon Hoti.
Ndërkaq nga MINT-i thonë se rritja e numrit të stafit për këtë departament është në proces dhe se ndarja e buxhetit për vitin dy mijë e njëzet e pesë është katërdhjetë e katër mijë euro.
“Numri i stafit në Departamentin e Turizmit aktualisht është 4 persona. Megjithatë parashihet me rregullore që të jenë 9 persona dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është në proces të rritjes së stafit. Buxheti i Departamentit të Turizmit në MINT për vitin 2025 është 44 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.
Hoti u bën thirrje të gjithë akterëve institucional që të angazhohen më shumë në promovimin e Kosovës, përfshirë kulturën, traditën dhe atraksionet turistike që ofron vendi ynë.
Ai thotë se presidentja e vendit duhet të bëjë përpjekje shtesë në këtë drejtim.
“Unioni i Turizmit të Kosovës është i vetmi që para tri viteve ka filluar t’iu bëjë apel të gjithë akterëve institucional, duke u nisur nga presidentja, kryeministri, ministrja dhe shumë akterë të tjerë të bëjnë promovimin e turizmit të Kosovës, në forma të ndryshme të cilat ata i shohin të arsyeshme. Ne po i shohim krerët e shteteve të tjera, të cilët po shfrytëzojnë çdo moment duke promovuar vlerat e tyre kulturore, trashëgiminë, aktivitete dhe vendet atraktive të cilat i kanë. Ne e kemi parë që presidentja ka filluar, ka bërë 2-3 postime sa i përket 2-3 vendeve atraktive të cilat i kemi, por unë mendoj që nuk mjafton dhe ka mundësi që kurdo që shkon nëpër vizita të ndryshme, pse mos ta bënë edhe një dedikim edhe për pjesën e turizmit, për shkak se potencialet e Kosovës kanë nevojë për një promovim të tillë… Ne iu bëjmë apel që ta promovojnë vendin, kulturën, traditën, atraksionet që i kemi”, thotë Hoti.
Lidhur me këtë nga Presidenca thonë se “presidentja ka promovuar tepër shumë turizmin dhe pasuritë natyrore të Kosovës. Vetëm hyn në profil të saj”.
Ndërkaq, për nevojën e krijimit të Ministrisë së Turizmit flet edhe kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva. Ai thotë se ngritja e institucioneve të reja është gjithmonë e mirëpritur.
“Sa herë që ngriten institucionet është mirë. Është mirë të ketë edhe Ministri të Turizmit. Por, nëse kemi obligime për punëtorë shtesë ose diçka tjetër, dhe nëse nuk kemi mundësi të kemi një numër më të madh të punëtorëve, sepse ministria dëshiron ekstra shtesë, atëherë mendoj që Departamenti i Turizmit vetëm të themelohet me së paku dy divizione, ta ketë edhe të tretin divizion. Përfaqësuesi ose zyrtari i cili është në KIESA që e luan rolin e promovimit të turizmit, ajo të kalojë në Agjencion Kombëtar. Nëse kemi e Agjencionin Kombëtar dhe Departamentin e Turizmit, për momentin mjafton. Pastaj, me rritjen dhe zhvillimin e turizmit gjithëmbarshëm në Kosovë, me destinacionet e reja, kushtet e reja, pse jo mos të jetë edhe Ministria e Turizmit”, shprehet Sogojeva.
Sogojeva thekson rëndësinë që kanë liderët shtetëror në promovimin e turizmit, derisa përmend si shembull Shqipërinë, ku kryeministri dhe ministrat publikojnë çdo ditë për destinacione turistike.
Ai shpreh shqetësimin se në Kosovë mungon një angazhim i tillë, madje sipas tij, përmendja e situatave të pasigurta apo fjala “luftë” në diskursin publik mund të krijojë imazhe negative që i largojnë turistët potencial.
“Merreni shembullin e Shqipërisë, kryeministrit, ministrave. Çdo ditë kanë postime për destinacione turistikë të Shqipërisë. Tek ne, jo që nuk postojnë por ka raste, që është diçka më e keqja kur përmendet fjala “luftë”. Nëse thuhet se ne jemi në prag të luftës, prag të gjendjes së keqe, sepse e kemi këtë, atë, turisti as që dëshiron të dëgjojë…Kosova është ende e paeksploruar për shumë vizitorë, jo vetëm evropianë por edhe të lindjes kanë filluar të vijnë për shkak se promovimet bëhen në mënyrë vetanake, përmes ëebafqeve… Duhet të promovojnë çdo ditë. Ndryshe është fjala e kryeministrit, ndryshe fjala e presidentes, ndryshe e ministrave, ndryshe e shoqërisë civile ose e njerëzve”, thekson Sogojeva.
Krahas kësaj, ndonëse KosovaPress i drejtoi pyetje Zyrës së Kryeministrit lidhur me themelimin e Ministrisë së Turizmit, nuk mori përgjigje konkrete.
Nga Zyra e Kryeministrit në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Investime të Qëndrueshme, janë duke u hartuar aktet nënligjore për themelimin e dy agjencive të reja, që janë Agjencia e Investimeve dhe Eksporteve (AIE) në kuadër të Zyrës se Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Agjencia për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës (AIPNK) në kuadër të MINT-it.
“Vlen të theksohet se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Investime të Qendrueshme, në zëvendësim të agjencisë KIESA, janë duke u hartuar aktet nënligjore për themelimin e dy agjencive të reja: 1.1. Agjencia e Investimeve dhe Eksporteve (AIE) në kuadër të Zyrës se Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe 1.2. Agjencia për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës (AIPNK) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë. AIPNK përfshin përgjegjësitë ekzekutive për Promovimin e Turizmit, përmes zbatimit të programeve kombëtare, skemave të granteve, si dhe projekteve ndërkombëtare që nxisin konkurrencën e produkteve dhe shërbimeve turistike dhe promovimin e tyre…Tani Ligji i Turizmit është në proces të shqyrtimit për rishikim për plotësimndryshime që do të përfshijnë diskutimet për themelim të agjencisë ekzekutive të turizmit, për zbatim të programeve dhe masave të strategjisë horizontale të turizmit 2030, nga shumë ministri përkatëse të linjës (MINT, MKRS, MBZHR, MMPHI, MASHT)”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.
Për dallim nga Kosova, vendet e rajonit tashmë e kanë të institucionalizuar turizmin përmes ministrive përkatëse. Maqedonia e Veriut ka Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Shqipëria Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ndërsa Mali i Zi ka një Ministri të veçantë për Turizmin.
Edhe në Serbi, turizmi përfshihet në nivel ministror përmes Ministrisë së Turizmit dhe Rinisë
Përndryshe, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë bëri të ditur se gjatë vitit 2024, afro 12 milionë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë.
Sipas MTM-së, 3,8 miliardë euro janë gjeneruar nga turizmi vetëm në 9 muajt e vitit 2024.